Kosova dhe Hungaria nënshkruajnë marrëveshje të reja, rritet edhe numri i bursave për studentët kosovarë

29 tetor 2020 | 16:48

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, të enjten është pritur në takim nga homologu i saj, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Republikës së Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin ka zhvilluar diskutime gjithëpërfshirëse dhe ka nënshkruar dy marrëveshje që thellojnë edhe më tej marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, raporton “Epoka e re”.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e madhe të zhvilloja një takim gjithëpërfshirës me ministrin Szijjarto, gjatë vizitës zyrtare në Budapest. Nënshkruam dy marrëveshje bilaterale: Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve, dhe Programin e Koordinimit për Shkencën dhe Edukimin”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Me këtë rast, kryediplomatja e Kosovës dhe homologu i saj hungarez nënshkruan edhe memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Edukimit e Shkencës për ofrimin e skemës së bursave “Stipendium Hungaricum”, duke ngritur kështu numrin e bursave të ofruara nga Hungaria për studentët kosovarë nga 50 në 75 për tri nivele të studimeve.

E shoqëruar nga deputetja, njëherësh kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ministrja Haradinaj-Stublla i shprehu homologut hungarez mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë dhënë Republikës së Kosovës, subjektivitetit të saj ndërkombëtar, dhe aspiratës Euro-Atlantike.

Nga ana e tij, ministri Szijjarto ka shprehur mbështetjen e plotë dhe të parezervë për të drejtën e vonuar të Kosovës për liberalizim vizash, duke ftuar të gjitha shtetet e BE-së për veprim strategjik dhe vendimmarrje finale, tani, gjatë Presidencës Gjermane me Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, ministrja Haradinaj-Stublla është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez, Zsolt Nemeth.

Në këtë takim u shkëmbyen pikëpamjet rreth bashkëpunimit bilateral Kosovë – Hungari, duke vënë theksin edhe në zhvillimet politike në rajon, specifikisht temën e dialogut me Serbinë.

“Shpreha vendosmërinë e Kosovës për të arritur marrëveshje përfundimtare të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë, vetëm duke respektuar tri parimet e panegociueshme: integritetin territorial, rendin kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Po ashtu, edhe në këtë takim, të dyja palët janë pajtuar të vazhdohet me punën e përbashkët ndër-shtetërore për thellimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Hungarisë, veçanërisht përmes formalizimit të Grupit të Përbashkët Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Hungari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Makina e parë elektrike turke do të ketë një jetëgjatësi…