Kosova dhe Zvicra fillojnë me bashkëpunim për përgatitjen profesionale të mjekëve të rinj

01 shkurt 2022 | 15:17

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly dhe zëvendësdrejtorin për bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës, Laurent Tourche.

Ministri Latifi ka falënderuar shtetin e Zvicrës dhe personalisht ambasadorin Kolly, për ndihmën e dhënë tash e disa dekada për Kosovën dhe zhvillimin e saj, ndihmë kjo po ashtu e drejtuar edhe drejtë përmirësimit të sistemit shëndetësor në vendin tonë, posaçërisht të kujdesit parësor.

Gjithashtu ministri Latifi ka falënderuar Zvicrën edhe për ndihmën e ofruar në ballafaqim me pandeminë Covid-19, si dhe për gatishmërinë që të ndihmojë në të ardhmen rreth furnizimit me vaksina.

Me këtë rast, ministri Latifi ka shtuar se gjatë disa muajve të fundit vendi ynë ia ka dalë me mjaftë sukses ta përballojë pandeminë, megjithatë ka theksuar se duhet të vazhdojmë përqendrimin dhe ta mbajmë gjendjen nën kontroll, pasi që Covid-19 ende nuk ka përfunduar.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte edhe mundësia e fillimit të bashkëpunimit me qëllim përgatitjen profesionale të mjekëve të rinj nga Kosova përmes kontributit të kuadrove dhe institucioneve përkatëse akademike dhe shëndetësore të Zvicrës.

Kësisoj, të dyja palët u dakorduan që për këtë temë të përgatiten edhe pikat konkrete që ky bashkëpunim të fillojë në të ardhmen e afërt.

Në konkluzion gjithashtu u diskutua edhe për krijimin e Qendrës Klinike Ekselente, si investim tejet i rëndësishëm për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Malit të Zi, Fatos Beqiraj ka arritur marrëveshje…