Kosova me shumë ndryshime në ndeshjet e nëntorit

03 nëntor 2022 | 17:00

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin nëntor, disa ditë para fillimit të Kampionatit Botëror. Grumbullimi i “dardanëve” do të fillojë më 14 nëntor, ndërsa sfidat do të jenë ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe. Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet. E para ndaj Armenisë luhet më 16 nëntor, e dyta me Ishujt Faroe tri ditë më vonë. Por në këtë grumbullim pritet të ketë shumë risi në listën e përzgjedhësit të Kosovës, Alain Giresse.

Trajneri francez nga e hëna deri në të mërkurën ka telefonuar yjet kryesorë të Kosovës për t’i treguar se nuk do t’i grumbullojë për këto dy miqësore. “Telegrafi” raporton se Giresse ka telefonuar dhjetëra futbollistë që kanë bartur barrën kryesore në ndeshjet e fundit për t’i konfirmuar se do t’i lë pushim për këto dy sfida, pasi qëllimi i tij është t’u japë rast futbollistëve që kanë luajtur më pak dhe do të ketë emra të rinj në listë.

Kapiteni i “dardanëve”, Amir Rrahmani, nuk do të grumbullohet shkaku i lëndimit, derisa bashkë me të nuk pritet t’i bashkohen Kosovës në këtë grumbullim as futbollistët kryesorë si Muriqi, Hadergjonaj, Vojvoda, Rashani, Celina, Rashica, Dresheviq, Aliti, Bytyqi, Muslija, Zeneli e të tjerë. Në këtë grumbullim do të ketë disa emra të rinj te Përfaqësuesja e Kosovës, futbollistë që nuk janë ftuar kohën e fundit apo emra që do t’u bashkohen për herë të parë “dardanëve”.

Pritet që nga Giresse të ketë edhe ftesa për lojtarët nga Superliga e Kosovës ku së fundmi ishin grumbulluar Lumbardh Dellova, Lindon Emërllahu dhe Ilir Krasniqi. Kësaj treshe pritet t’i bashkohet edhe Armend Thaqi dhe futbollistë të tjerë nga skuadrat e Superligës së Kosovës. Gjithashtu, në listë pritet të jenë edhe dy ish-futbollistët e Ballkanit që tani po luajnë me plot sukses në Evropë, si Jetmir Topalli që po shkëlqen në Superligën e Turqisë me Istanbulsporin apo Arbër Hoxha në atë të Kroacisë me Slaven Belupon e Mirlind Daku që është top-shënues në Slloveni me Muran. Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, pritet që ta publikojë listën me futbollistët e ftuar për këto dy takime në ditët e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka…