Kosova miraton Deklaratën kundër ndalimit arbitrar
Republika e Kosovës ka përmbushur edhe një zotim të Samitit për Demokraci, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar.
Me miratimin e kësaj deklarate, Kosova rreshtohet krah shteteve të përkushtuara për të drejtat e njeriut, sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Me këtë deklaratë, Kosova sikurse edhe shtetet e tjera ka riafirmuar shqetësimin për përdorimin e ndalimit arbitrar nga shtetet për të ushtruar ndikim mbi qeveritë e huaja, veprim ky në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Miratimi i kësaj deklarate është hap i rëndësishëm i përmbushjes së zotimeve të bëra nga presidentja Vjosa Osmani, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, në Samitin për Demokraci, iniciativë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Deklarata është iniciativë e Kanadasë, e cila synon që të mbrojë edhe më tutje të drejtat e qytetarëve, të cilët jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë jashtë shteteve të tyre amë.



