Kosova nuk arrin t’i jap fund operimit të kodeve të huaja telefonike

15 janar 2019 | 13:49

Operatorët telefonik në Kosovë nuk kanë arritur t’i përmbahen afatit kohor për largimin e kodeve të huaja telefonike dhe përdorim vetëm të kodit telefonik të Kosovës +383.

Data 15 janar e këtij viti ka qenë e fundit kur operatorët e telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe Ipko është dashur të fillojnë me zbatimin e kodit telefonik +383 dhe largimin në tërësi të kodeve ndërkombëtare.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se si rrjedhojë e moszbatimit të këtij afati fillohet me masa sanksionuese.

“Nga sot kompanitë (operatorët telefonik në Kosovë) do të dënohen me shumën 10,000 euro në muaj, ky vendim do të rishikohet në 2-3 muajt e ardhshëm dhe nëse nuk zbatohet deri atëherë kjo shumë mund të rritet më tutje”, ka thënë ë Gashi.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të telefonisë mobile të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e “Ipko”-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Largimi i kodeve të huaja ishte paraparë që të ndodhte në qershor të vitit 2018, por kjo nuk kishte arritur të realizohej. Pas kësaj date ishte dhënë edhe afat i dytë për largimin e kodeve të huaja që ishte 31 tetori i vitit 2018.

Por, në pamundësi për arritjen e këtij afati dy operatorët “Vala” dhe “Ipko” kishin kërkuar shtyrje të afatit, por kjo nuk ishte pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Qysh në atë kohë ARKEP-i ka nxjerr vërejtjen përfundimtare dhe kërkoi që të eliminohen kodet e huaja sa më të shpejtë që është i mundur, derisa me masa sanksionuese bëri të ditur se fillohet nga data 15 janar, 2019.

Sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383, sipas operatorëve të telefonisë mobile “Vala” dhe “Ipko” ishin relacionet e tyre me operatorët ndërkombëtarë.

Ekspertë të çështjeve të telekomunikacionit e kishin konsideruan neglizhencë të operatorëve telefonik mosrrumbullakimin në afat të caktuar të kodit shtetërorë telefonik të Kosovës +383.

Në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që shfrytëzon linjën +377, i ka paguar për shfrytëzim të kodit 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro. Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në mbi 200 milionë euro.

Kosovës iu kishte ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit 2016. Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Arsenalit, Petr Cech ka njoftuar se ky është…