Kosova sonte kërkon fitoren e parë në kualifikueset për ‘Euro 2024’

19 qershor 2023 | 08:00

Pas tri barazimeve në tri ndeshjet e para kualifikuese për Kampionatin Evropian, Kosova sonte kërkon fitoren e parë në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, e cila zhvillohet në Hungari. Optimist për fitore janë shprehur edhe në konferencë për medie përzgjedhësi Alain Giresse dhe futbollisti Betim Fazliji.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar të dielën përgatitjen e fundit para ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Bjellorusisë, e cila zhvillohet sonte (e hënë) në Budapest nga ora 20:45. “Dardanët” janë përgatitur dhe kanë paralajmëruar se luftojnë për fitore në këtë ndeshje, pasi deri tash ende nuk e kanë shijuar fitoren në kualifikime dhe në tri ndeshjet e zhvilluara kanë barazuar në tri ndeshjet.

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse në konferencë për medie ka deklaruar se e kanë analizuar lojën e bjellorusëve dhe se do të mundohen ta dominojnë lojën dhe të marrin pikët maksimale.

“E kemi analizuar lojën e Bjellorusisë, siç besoj se edhe ata e kanë studiuar lojën tonë. Në veçanti e kemi analizuar ndeshjen e tyre të fundit kundër Izraelit. Sidoqoftë, ne nuk do t’i përshtatemi lojës së tyre por do të luajmë lojën tonë. Pra, ne do t’ua imponojmë atyre lojën tonë, pasi qëllimi ynë është ta dominojmë këtë ndeshje. Kundër Rumanisë kemi bërë lojë të mirë, por ka munguar finalizimi i rasteve”, ka thënë Giresse, duke shtuar se: “Nuk më pëlqen të flasë tani për ndeshjet e kaluara, por them se kemi bërë futboll të mirë, veçmas në ndeshjen e fundit, ku na mungoi vetëm goli. Prandaj, na duhet të luftojmë më shumë për ta gjetur rrugën e golit dhe të arrijmë deri te fitorja”. I pranishëm për në konferencën për medie ishte edhe futbollisti Betim Fazliji, i cili ka deklaruar se “dardanët” në Budapest kanë ardhur për ta realizuar fitoren e parë në këto kualifikuese.

“E dimë çfarë rëndësie ka kjo ndeshje. Do ta japim maksimumin dhe presim t’i marrim me vete pikët e plota. Kemi ende gjasa të mëdha për t’u kualifikuar. Duhet të shkojmë lojë për lojë. Qëllimi është t’i marrim pikët e plota ndaj Bjellorusisë”, ka thënë Fazliji. Ndeshja mes Bjellorusisë dhe Kosovës zhvillohet nga ora 20:45, kurse është ndeshja e katërt për “dardanët” në kualifikueset “Euro 2024”.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori kosovar, Kreshnik Ibrahimi ditën e diel ka vizituar varrin…