Kosova U17 promovohet në Ligën A në kualifikimet për ‘Euro 2024’

09 tetor 2023 | 15:20

Përfaqësuesja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka fituar miniturneun kualifikues të Grupi 1 në Ligën B për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Suedia 2024”, i cili gjatë ditëve të fundit u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Pas barazimit me Andorrën dhe fitores me Gjeorgjinë, vashat “dardane” shënuan fitore në ndeshjen e tretë dhe përcaktuese për pozitën e parë ndaj Maqedonisë së Veriut, me rezultat 2-1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Të parat në epërsi kaluan mysafiret me golin e Kalina Popeski, në minutën e 10-të.

Megjithatë, baraspeshën në rezultat e riktheu Rita Feka, në minutën e 27-të (1-1), me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë Dardanet ishin edhe më këmbëngulëse drejt portës mysafire, të vetëdijshme se vetëm fitorja kryente punë, pasi Maqedonia e Veriut në dy ndeshjet e para kishte shënuar fitore.

Punët për të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit u lehtësuan pas përjashtimit të Komnenovës në minutën e 68-të. E këtë epërsi numerike në fushë Dardanet e kapatializuan në minutën e 84-t, me golin e Liza Hoxhës, duke vulosur fitoren në këtë ndeshje, me shifrat 2-1.

Deklaruan pas ndeshjes:

Sanije Krasniqi: Kjo fitore na dërgon në Ligën A ku do të ndeshemi me kundërshtar shumë më të fortë. Jam shumë e lumtur për lojën që e kanë bërë vajzat dhe rezultatin pasi që në dy ndeshjet e para kemi stagnuar edhe pse kemi arritur rezultate, një barazim dhe një fitore, mirëpo sot me kundërshtarin i cili i ka pas dy fitore kemi treguar një lojë shumë të mirë ofanzive, ku arritëm deri te fitorja shumë e rëndësishme.

Riga Kallaba: Jam shumë e lumtur që kemi fituar. Krejt ekipi ka lujtur shumë fortë dhe e kemi dhënë maksimumi. Është shumë mirë për ne që tash do të luajmë kundër ekipeve më të forta.

Liza Hoxha: Jemi shumë të lumtura për paraqitjen e sotme. E kemi dhënë maksimumin të gjitha dhe jam shumë e lumtur që kam shënuar gol. Janë duke na u ofruar sfida të reja me u përballë me ekipe shumë më të mëdha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka…