KOSTT-i, letër Konjufcës: Mbi 23.6 milionë kostoja e pambuluar e furnizimit me energji elektrike në veri të Kosovës (dokument)

22 shtator 2023 | 16:46

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka alarmuar për humbjet në veri të Kosovës.

Sipas kësaj letre të cilën e ka siguruar gazeta “Epoka e re”, mbi 23.6 milionë euro është kostoja e pambuluar e furnizimit me energji elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

“Energjia elektrike e konsumuar në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës ka vazhduar të tërhiqet nga rrjeti i Evropës kontinentale, duke i pamundësuar KOSTT-it kryerjen e detyrimit për balancimin e sistemit sipas Marrëveshjes se Kyçjes KOSTT-ENTSO-E dhe ligjeve në fuqi. Aktualisht KOSTT në përputhje me Marrëveshjen e Kyçjes me RGCE\ENTSO-E është duke operuar si zone rregulluese e pavarur. KOSTT-i në të ardhmen aspiron anëtarësimin e plotë në ENTSO-E, e cila në vazhdimësi monitoron përmbushjen e kushteve teknike, obligimeve dhe detyrime kontraktuale nga KOSTT-i. Deri më tani, kosto e pambuluar e furnizimit të pjesës veriore të Kosovës përmes devijimeve për periudhën dhjetor 2022 – korrik 2023 ka arritur në vlerën 23.628.921.00 milionë euro, pa përfshirë përllogaritjen e interesave nga JAO”, është thënë në letrën e KOSTT-it.

Nëpërmjet kësaj letre, KOSTT-i ka kërkuar ndihmën e shtetit për t’i mbuluar këto humbje.

“Andaj, ne rrethana te tilla sigurimi i mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës, në përmbushje të obligimeve ligjore dhe kontraktuale, evitimin e pasojave të cilat tashmë janë bërë të ditura, e për të cilat në vazhdimësi ju kemi mbajtur të informuar, si dhe ruajtjen e integritetit dhe kredibilitetit, si dhe mundësimin e avancimin të statusit të KOSTT-it në ENTSO-E është i domosdoshëm”, është thënë në letrën drejtuar Konjufcës.

Sipas  kësaj letre, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve,  KOSTT-i rrezikon të dënohet me 5 milionë euro dhe  të përjashtohet nga Marrëveshja e Kyçjes.

No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së sotme, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian…