Krahët e pulës të importuara nga Brazili dalin pozitive me Covid-19

13 gusht 2020 | 14:34

Një pako me krahë pule e importuar nga Brazili ka dalë pozitive me Covid-19, thanë autoritetet kineze. Pako, e marrë për testim nga një ngarkesë më e madhe, kishte mbërritur në qytetin jugor Shenzhen. Ky është rasti i disatë që autoritetet kineze raportojnë për produkte ushqimore të kontaminuar.

Autoritetet thanë se kontaktuan menjëherë me personat që kishin pasur kontakte me mallin, por të gjithë rezultuan negativ pas testit për koronavirusin e ri. Edhe mallrat e tjerë që kishin qëndruar në të njëjtën magazinë me krahët e pulës u izoluan, por pas testimit rezultoi se nuk ishin të infektuar.

Edhe pse nuk e bënë publike emrin e firmës së krahëve të pulës, autoritetet thanë se kanë nisur gjurmimin e produkteve të tjera të kësaj kompanie që janë në shitje në tregjet kineze, për të zbuluar nëse ka të tjerë të infektuar. Deri tani, Brazili ka raportuar më shumë se 3,1 milionë raste me koronavirusi, vendi i dytë në botë me më shumë raste të konfirmuara, pas Shteteve të Bashkuara, raporton “A2”.

Pak ditë më parë, një pako me karkaleca deti e mbërritur në provincën Anhui nga Ekuadori, rezultoi pozitive me Covid-19. Gjatë javëve të fundit ka pasur edhe raste të tjera me produkte deti të infektuara me koronavirus. Rastet kanë ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore, por Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thonë se ka pak gjasa që të infektohesh me Covid-19 përmes ushqimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Athletic Bilbao është klubi i radhës që tronditet nga koronavirusi.…