Krasniqi bën homazhe në Çikatovë e Poklek: Kërkojmë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre

17 prill 13:17

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë sot homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, ku më 17 prilli të vitit 1999, policia serbe kreu dy prej masakrave më të tmerrshme në Drenicë, duke vrarë e djegur fëmijë, pleq, gra e burra.

“Për të nderuar martirët e rënë, që u masakruan mizorisht nga dora e armikut, sot, bashkë me Kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe me kolegë e bashkëpunëtorë nga Partia Demokratike e Kosovës, bëmë homazhe pranë varreve të tyre”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Më tej, lideri i PDK-së ka thënë se dhembja e asaj dite të kobshme është ende e freskët në mesin e familjarëve të viktimave, ashtu si edhe kujtimi i tyre dhe i tërë popullit të Kosovës për tmerrin dhe terrorin e përjetuar 23 vite më parë.

“Andaj, ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi, derisa autorët e këtyre veprave makabre të dënohen. Lavdi martirëve të Çikatovës së Vjetër dhe Poklekut!”, ka përfunduar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri shqiptar, Shefat Isufi ka triumfuar mbrëmë në meçin kundër…