Krasniqi: Dyert e shkollave më 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti

02 shtator 2022 | 16:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministri Albin Kurti për  mosfillimin e vitit të ri shkollor më 1 shtator.

Ai ka thënë se dyert e shkollave nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit të cilët janë në grevë, por kryeministri Kurti.

Ky reagim i Krasniqit vjen pas takimit me përfaqësuesit e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj dhe Ali Gashi.

“Dyert e shkollave me 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti, nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit.  Nuk ka ndarje mes prindërve dhe mësimdhënësve sepse  mësimdhënësit janë prindërit tanë.  Për të diskutuar për situatën e rëndë dhe të padëshiruar që ka shkaktuar qeveria Kurti duke ua ndalë pagat mbi 45 mijë mësimdhënësve, zyrtarëve civilë, personelit shëndetësorë, zjarrfikësve e shumë kategorive tjera, në selinë e PDK-së, prita përfaqësuesit e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.  Hakmarrja e Kurtit përmes mosekzekutimit të pagave është vepër penale – është shkelje ligjore”.

“Ajo çka po shohim këto ditë nga qeveria është e paparë ndonjëherë në historinë e demokracisë në Kosovë. Arrogancë, shtypje e diktaturë mbi mësimdhënësit dhe shërbyesit tjerë civilë. Albin Kurti, si kryeministër, e ka për obligim dhe detyrë që të dialogojë me sindikalistët për të gjetur urgjentisht një zgjidhje – që fëmijët tanë të kthehen sa më parë nëpër shkolla.  Ne kërkojmë nga qeveria që t’i kthehet dialogut të mirëfilltë dhe t’i ftojë sindikalistët për të diskutuar për një marrëveshje, si dhe t’i ekzekutojë pagat e zyrtarëve publik, mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që janë duke u sanksionuar. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë deri në fillim të javës së ardhshme, ne do të iniciojmë kthimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera, të cilat do të mundësojnë kthimin e ligjshmërisë në këtë vend.  Albin Kurti duhet ta kuptojë mirë dhe qartë se asnjëherë nuk do ta lejojmë që të instalojë diktaturën në Kosovë!”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot kanë dal në shitje biletat për superndeshjen Prishtina -…