Krasniqi kritikon qeverinë për rritjen e çmimit të rrymës: Po kërcënohet mirëqenia e qytetarëve

24 mars 2023 | 14:46

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar qeverinë lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Krasniqi ka vlerësuar se ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare që sipas tij po varfërohen çdo ditë e më shumë.

“Vitin e kaluar e rritën mbi 100 për qind  çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kësaj qeverie, që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishajn, nuk u mjaftoi kjo. Dje, çmimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët tanë e rritën edhe për rreth 15 për qind. Ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare, të cilat, në këtë periudhë të krizës dhe ngritjes së të gjitha çmimeve të tjera, po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se me këtë lloj qeverisjeje, numri i qytetarëve të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja.

“Një gjë është e sigurt: me këtë lloj qeverisjeje, e cila po vështirëson dhe rëndon jetën e qytetarëve në çdo aspekt, numri i atyre të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja. I indinjuar thellësisht me këtë kaos qeverisës, i cili po e kërcënon në vazhdimësi mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit tonë. Mjaft më!”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca nis rrugën e kualifikimeve për në “Euro 2024”, duke…