Krasniqi: Kurti të fokusohet në qeverisje dhe jo në zgjedhje

02 janar 2022 | 11:37

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se Qeveria Kurti në vitin e parë në pushtet ka treguar mungesë të kompetencës, dijes dhe vizionit.

Në një intervistë për KosovaPress, lideri opozitar i kërkon kryeministrit Kurti të fokusohet tek qeverisja dhe jo tek zgjedhjet e reja.

Ai e fajëson kreun qeveritar për mungesën e zgjidhjes për krizën energjetike dhe thotë se duhet ta trajtojë më seriozisht dialogun me Serbinë.

Ndërkohë, paralajmëron formimin e qeverisë në hije të PDK-së në fund të muajit shkurt.

Krasniqi thotë se Qeveria Kurti s’i ka bërë as tri punë të rëndësishme gjatë vitit 2021.

“Kemi qenë të befasuar për të keq me mungesën e kompetencës së qeverisë. Kanë qenë pritjet se së paku ministrat të kenë më shumë njohuri dhe vizion për fushat që iu është besuar detyra, por kjo nuk ka ndodhur. Mua më vjen keq që ky vit po mbyllet pa pasur mundësinë që t’i llogarisim së paku tri punë të rëndësishme që i ka bërë kjo qeveri. Nëse analizojmë vërtet dhe objektivisht punën e qeverisë gjatë këtij viti, qoftë planin e brendshëm dhe veçanërisht planin e jashtëm s’ka pasur asnjë avancim pozitiv. Kemi pasur telashe të mëdha me pandeminë. Vetëm këtë vit kemi pasur dy valë të mëdha që kanë marrë shumë jetë njerëzish dhe që kanë qenë të karakterizuara me keqmenaxhim nga ana e institucioneve. Kemi pasur telashe në politikën e jashtme, sot Kosova se ka një njohje të re dhe as nuk ka aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kemi pasur degradim të raporteve tona në rajon dhe veçanërisht me Shqipërinë që është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Por edhe një degradim të raporteve tona me disa prej partnerëve kryesorë të Kosovës siç janë ShBA dhe disa nga shtetet kyçe të BE-së. Realisht krejt çka e ka definuar këtë vit është se në vend që të kishim një rritje të mirëqenies së qytetarëve ne patëm rritje të çmimeve dhe shtim të problemeve, të cilat me një qasje tjetër do të ishin të vogla. […] Deri tash nuk kanë lënë hapësirë se mund të ketë ndonjë zhvillim pozitiv me këtë qeveri. Mungesa e kompetencës, dijës por edhe vizionit qeverisës është shqetësuese”, thotë ai.

Veçanërisht, sipas tij, ekzekutivi ka faj për mungesën e zgjidhjes së krizës energjetike.

“Faji është i qeverisë për mungesën e zgjidhjes së krizës dhe për neglizhencë që ata e kanë trajtuar këtë çështje. Unë nuk dëshiroj të jem alarmues, por ne ende se kemi arritur pjesën më të keqe të kësaj krize. Pasi me uljen e temperaturave është normale që të rritet konsumi dhe prodhimi vendor është duke shkuar më poshtë për shkak të daljes edhe të blloqeve të tjera. Ndërsa, çmimet në treg janë enorme, kapacitetet financiare për të mbuluar importin duket se nuk ekzistojnë dhe rrjedhimisht kjo do të krijojë një krizë më të rëndë se kjo që e kemi përjetuar në muajin dhjetor”, shton ai.

Lidhur me mundësitë e zgjedhjeve të reja gjatë këtij viti, kreu i PDK-së thotë për KosovaPress se fokusi i kryeministrit Kurti duhet të jetë tek qeverisja dhe jo tek kutitë e votimit.

Por kjo, sipas tij nuk do të thotë se PDK-ja nuk është e gatshme për zgjedhje të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është vetëplagosur në dorë me armë të zjarrit.…