Krasniqi: S’ka informata për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

08 nëntor 2023 | 13:31

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë të mërkurën se ende nuk ka ndonjë informacion se qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit kanë filluar t’i mbledhin nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve të komunave të tyre përkatëse përmes peticionit.

Duke folur në një konferencë për medie në Prishtinë të mërkurën, Krasniqi, megjithatë i ka mbështetur kryetarët e tanishëm ta përfundojnë mandatin e tyre katërvjeçar.

“Çka është me rëndësi është se kryetarët po vazhdojnë të punojnë dhe si qeveri jemi në mbështetje të vazhdueshme të kryetarëve që ata ta përmbushin mandatin e tyre si kryetar”, ka thënë Krasniqi.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë tani, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.

Kosova, pasi është përball me masa ndëshkuese nga BE-ja është zotuar për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë vetëm përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.

Peticioni duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e trupit votues në komunën e caktuar, që më pas të mund të shtyhet përpara. Nëse plotësohen të gjitha hapat e kërkuar me udhëzimin administrativ,  i cili është publikuar në shtator, atëherë mbahet votimi për largimin e kryetarit të komunës.

Për largimin e kryetarit kërkohen 50 për qind +1 votë e qytetarëve në listën e votuesve. Më pas, shpallen zgjedhjet e reja.

Më 13 tetor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës.

Në shtator, Krasniqi ka thënë se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe “është kërkesë vetëm e Beogradit”, duke këmbëngulur se kryetarët mund të largohet nga zyrat vetëm përmes udhëzimit të ri administrativ.

Por, prej atëherë gjërat ndryshuan dhe gjendja vetëm sa u tensionua edhe më shumë, pasi Policia e Kosovës është sulmuar më 24 shtator nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe më vonë nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë e sulmit.

Më 12 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u ka bërë thirrje përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës që të iniciojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha,…