Krasniqi: Sot s‘do të flasim për beteja politike, kemi një betejë të rëndësishme për Kosovën

28 shtator 2023 | 12:03

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se partia që drejton mbështet propozimin për një rezolutë të deputetëve në dënim të sulmit terrorist në veri.

Krasniqi në Kuvendin e Kosovës është shprehur që nuk do të flitet për beteja të brendshme politike, pasi aktualisht, ka një betejë tjetër të rëndësishme.

“Kjo nuk mund të jetë një seancë e zakonshme, as fjalimet tona. Në emër të PDK-së, mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët të deputetët për të dënuar sulmin terrorist ndaj vendit tonë. Nuk do të flasim për beteja të brendshme politike, e kemi një betejë tjetër të rëndësishme përpara, Kosovën, vendin tonë”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se PDK-ja e ka të qartë se sulmi terrorist në veri e ka adresën në Beograd.

“Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë, që organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist e ka adresën në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes i Radojicqit, armatimi i terroristëve, strehimi në Serbi, lartësimi si heronj, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupit me shtetin serb”, ka thënë Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë një hetim për vërtetimin e përfshirjes së shtetit serb në këtë sulm.

“PDK-ja është e përkushtuar që interesat e shtetit, t’i vë mbi të gjitha, i bëj thirrje komunitetin ndërkombëtar që të nis hetim për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një formë fantastike këtë periudhë po kalon dhe Berat Gjimshiti.…