Kroacia e interesuar për sektorin e verës dhe vreshtarisë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Nenad Rikalo, është takuar të mërkurën me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.
Gjatë këtij takimi, ministri Rikalo e ka informuar ambasadoren Kapitanoviq për planin e punës, programet mbështetëse të kësaj ministrie dhe projektet që do të zbatohen për të mbështetur prodhuesit bujqësorë në vitin e ardhshëm.
Sipas njoftimi të MBPZhR-së, ambasadorja kroate ishte veçanërisht e interesuar për sektorin e verës dhe vreshtarisë, si dhe për prodhimin e mjedrave. Ajo ka theksuar se bashkëpunimi në aplikimin e standardeve të BE-së në produktet bujqësore do të përmirësohet dhe se do të ofrojnë përvojën e Kroacisë në këtë drejtim.
Ndërsa ministri Rikalo, ka shprehur gatishmërinë e MBPZhR-së për të vazhduar bashkëpunimin nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, kryesisht në fushën e arsimit dhe teknologjisë moderne.