Kryediplomatja e Gjermanisë: Tabelat ilegale serbe të veturave e minojnë sovranitetin e Kosovës

13 tetor 2022 | 12:19

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një konference me homologen Donika Gervalla-Schwarz në Berlin, ka theksuar se qeveria gjermane është e angazhuar dhe po e ndihmon Kosovën dhe Serbinë në zgjidhjen konkrete të problemeve, siç janë tabelat e makinave dhe furnizimi me energji në veri.

“Qeveria gjermane ia ka bërë të qartë Serbisë se në fund të procesit të dialogut, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi kjo është kusht për integrimin e Serbisë në BE”, ka thënë Baerbock.

Ajo ka theksuar se qeveria gjermane e ka vendosur Ballkanin dhe Kosovën në epiqendër të interesimit të saj.

“Përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore është i domosdoshëm dhe Gjermania është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve konkrete siç është problemi i tabelave të makinave dhe furnizimi me energji ne veri. Për mua është e qartë se 9 mijë tabela serbe në automjetet të cilat qarkullojnë në Kosovë, që nga koha e Millosheviqit, minojnë sovranitetin e vendit tuaj. Qytetarët serbë duhet të ndërrojnë tabelat dhe qeveria gjermane ia ka bërë të qartë qeverisë së Serbisë se kjo temë dhe ajo e energjisë në veri, duhet të rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të arritura, në mënyrë që në fund të procesit të dialogut, Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo është kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo. /RTKlive

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka riafirmuar përkushtimin e…