Kryeministri: Presidenti nuk është zëdhënës i Amerikës

14 shkurt 2019 | 10:55

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu referuar deklaratës se presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se mospezullimi i taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, i dëmton raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se askush nuk është zëdhënës i ShBA-së.

“Amerika flet vetë. As presidenti, as unë, as askush nuk është zëdhënës i Amerikës. Nuk kanë nevojë që dikush të flasë për ta, ata flasin vetë, dinë të flasin, i shpjegojnë gjërat”, ka thënë Haradinaj pas takimit me liderët shtetërorë dhe ekipin negociator.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në disa raste se taksa, e vendosur qysh në nëntor, është kundër interesave amerikanë.

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas zyrtarëve të BE-së që janë ndërmjetësues të procesit, mbetet i paqartë, përderisa Kosova e mban në fuqi taksën doganore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dialogu nuk vazhdon pa u hequr taksa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, pritet që karrierën…