Kryeprokurori Millaku: Në aktakuzë përmendet numri i veteranëve mashtrues të UÇK-së, por jo edhe emrat e tyre

20 gusht 2018 | 15:19

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ka folur në konferencë për medie për aktakuzën e veteranëve të UÇK-së dhe dorëheqjen e prokurorit që po merrej me këtë lëndë, Elez Blakaj.

Millaku ka shpjeguar se si ka ndodhur largimi i Blakajt nga puna. “Elez Blakaj ka shkuar për të punuar në Amerikë”, ka thënë Millaku, raporton “Klan Kosova”.

Ai ka deklaruar se Blakaj ishte një prokuror i mirë, por nuk ka qenë “as hero, as frikacak”.

Millaku ka shtuar se Blakaj i kishte treguar se mendon të largohej, porse asnjëherë nuk i ka thënë të jetë kërcënuar nga dikush.

“Elezi ka qenë ndër prokurorët më të mirë. Kjo lëndë i ka marrë shumë kohë. Ka qenë shumë i ngarkuar. Mua asnjëherë nuk më ka thënë se ‘jam i kërcënuar nga dikush’. Unë nuk mund ta di çka Elezi ka menduar”, ka thënë prokurori Millaku.

I pyetur se a e di çfarë pune po bën tani Blakaj në Amerikë, ai është përgjigjur negativisht.

“Pasi e ka dërguar njoftimin (për dorëheqje), i kam shprehur keqardhje për heqjen dorë nga prokuroria special. Tani nuk e di çfarë po bën në Amerikë. Ajo është çështje personale e tij”, ka thënë ai.

Më tutje, Millaku ka deklaruar se sipas aktakuzës së Blakajt bëhet fjalë diku për mbi 19.000 emra që marrin jomeritueshëm pensionin e veteranit të luftës.

“19 mijë veteranë të rrejshëm janë vepra më e madhe penale në Kosovën e pasluftës”, është shprehur Millaku .

“Në aktakuzë përmendet vetëm numri i veteranëve mashtrues, por pa u cekur se kush janë ata”, ka thënë Millaku.

Millaku ka treguar se tani lëndën e veteranëve do ta marrë një prokuror tjetër, por s’ka thënë se kush do të jetë ai. Kryeprokurori është pyetur se “a do ta merrte vetë këtë lëndë”, por ai ka thënë se ka të tjera punë për të bërë. “Përndryshe me qejf”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, ka treguar…