BIK-u ka arritur rezultate të prekshme në luftimin e ekstremizmit

20 gusht 2018 | 15:08

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, ka treguar se kjo bashkësi fetare është e angazhuar maksimalisht për edukimin e drejtë të të rinjve dhe për mbajtjen e tyre larg nga mësimet ekstremiste.

Ai ka deklaruar se kjo është një nga sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet BIK-u. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bajgora ka treguar për mbështetjen që kjo bashkësi fetare ua ka dhënë institucioneve shtetërore për parandalimin e ekstremizmit dhe për rehabilitimin e deradikalizimin e të prekurve nga doktrinat ekstreme.

“Sfidat e BIK-ut janë të shumta dhe të vazhdueshme por, fatmirësisht, kemi një kuadër jashtëzakonisht të aftë e të përgatitur për t’u ballafaquar me çdo sfidë. Këtu në radhë të parë e kam fjalën për kujdesin ndaj besimtarëve, posaçërisht ndaj të rinjve, që t’i mbrojmë ata të mos bien pre e mësimeve ekstremiste fetare. Në vitet e fundit jemi angazhuar maksimalisht për çështjen e deradikalizimit”, ka thënë Bajgora.

Ai ka thënë se për ta mbrojtur rininë prej mësimeve ekstremiste duhet të ketë një qasje më të madhe nëpër ambiente të ndryshme.

“BIK-u është i angazhuar maksimalisht për edukimin e drejtë të të rinjve tanë, në të njëjtën kohë t’i mbajë larg ata nga mësimet ekstremiste, mirëpo për këtë duhet pasur qasje më të madhe te të rinjtë, si në sistemin shkollor, në media, në rrjetet sociale. Pastaj për këtë duhet edhe kuadër i trajnuar enkas si dhe fonde, që nuk mund të sigurohen pa një koordinim e bashkëpunim me institucionet e vendit dhe institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë”, është shprehur ai, duke shtuar se ruajtja e rinisë është obligim fetar dhe kombëtar.

Kryeimami Bajgora në këtë intervistë ka folur edhe për marrëveshjen e BIK-ut me Ministrinë e Drejtësisë, e cila parasheh ligjërimin nëpër burgje të imamëve të Kosovës kundër radikalizmit. Sipas tij, deri më tash kjo marrëveshje është duke u zbatuar në tri prej shtëpive korrektuese, ndërsa në javët në vazhdim do të fillojë gradualisht edhe në burgjet apo qendrat e tjera korrektuese anembanë Kosovës.

Sa i përket ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Bajgora ka thënë se kjo do të ndodhë brenda këtij viti.

“Me emër të Zotit ndërtimi i Xhamisë Qendrore do të nisë shumë shpejt. Shpresojmë se punimet të fillojnë brenda këtij viti kalendarik. Është një ekip teknik që po merret me detajet për fillimin sa më të shpejtë të punimeve. Fatmirësisht, edhe organet komunale kanë treguar gatishmërinë për lehtësim të procedurave, sepse Xhamia Qendrore do të jetë një objekt madhështor, me të cilin do të mburret kryeqyteti”, është shprehur Bajgora.

“Epoka e re”: Z. Bajgora, besimtarët e Kosovës që sivjet do ta kryejnë haxhin kanë mbërritur në Mekë. Sa është numri i haxhilerëve nga Kosova që e kanë marrë këtë rrugëtim dhe cila është gjendje e tyre?
Bajgora: Këto ditë besimtarët myslimanë nga e tërë bota kanë mbërritur në vendet e shenjta në Mekë e Medinë të Arabisë Saudite, të gatshëm që me përkushtim e devocion ta kryejnë një nga kushtet bazë të fesë islame, haxhin. Si çdo vit, edhe kësaj radhe, për ta kryer haxhin, në Mekë dhe në vendet e tjera të shenjta janë të pranishëm edhe 1 080 besimtarë tanë nga Kosova, përfshirë këtu udhëheqësit dhe ekipin mjekësor.

“Epoka e re”: Ku do të mbahet ceremonia qendrore e faljes së namazit të Kurban Bajramit dhe cila është rëndësia e kësaj feste për besimtarët myslimanë?
Bajgora: Manifestimi qendror për territorin e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa rëndësia e kësaj feste për besimtarët është e veçantë, ngaqë kjo festë, pra Kuban Bajrami, ndërlidhet me haxhin ritual, me anë të të cilit dëshmohen përkushtimi, devocioni, barazia, sinqeriteti dhe çiltërsia ndaj krijuesit të gjithësisë. Po ashtu, kjo festë ndërlidhet edhe me prerjen (therjen) e Kurbanit, i cili bëhet vetëm për Zotin, por që në vete ngërthen solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin ndaj atyre që kanë nevojë. Pra, në parim, festa e Kurban Bajramit manifeston përulësinë, sakrificën dhe humanizmin.

“Epoka e re”: Që disa vjet besimtarëve myslimanë të Kosovës po u premtohet se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Kur do të ndodhë fillimi i punimeve për ndërtimin e kësaj xhamie?
Bajgora: Me emër të Zotit ndërtimi i Xhamisë Qendrore do të nisë shumë shpejt. Shpresojmë se punimet të fillojnë brenda këtij viti kalendarik. Është një ekip teknik që po merret me detajet për fillimin sa më të shpejtë të punimeve. Fatmirësisht, edhe organet komunale kanë treguar gatishmërinë për lehtësim të procedurave, sepse Xhamia Qendrore do të jetë një objekt madhështor, me të cilin do të mburret edhe kryeqyteti.

“Epoka e re”: Cila janë sfidat me të cilat po përballet Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës?
Bajgora: Sfidat e BIK-ut janë të shumta dhe të vazhdueshme por, fatmirësisht, kemi një kuadër jashtëzakonisht të aftë e të përgatitur për t’u ballafaquar me çdo sfidë. Këtu në radhë të parë e kam fjalën për kujdesin ndaj besimtarëve, posaçërisht ndaj të rinjve, që t’i mbrojmë ata të mos bien pre e mësimeve ekstremiste fetare. Në vitet e fundit jemi angazhuar maksimalisht për çështjen e deradikalizimit, pastaj për zgjidhjen e statusit juridik, sigurimin e bazës materiale për BIK-un etj.

“Epoka e re”: BIK-u më herët ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, ku keni ofruar në dispozicion disa imamë për të ligjëruar nëpër burgjet e Kosovës kundër radikalizmit. A ka filluar të zbatohet kjo marrëveshje dhe çfarë ndikimi pritet të kenë këto ligjërata?
Bajgora: Në maj të këtij viti BIK-u dhe MD-ja kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi, e cila parasheh që BIK-u të japë një kontribut edhe për të burgosurit nëpër burgjet e Kosovës, nëpërmjet ligjëratave dhe këshillave fetare. Kur jemi te kjo marrëveshje, më duhet ta bëj një sqarim për opinionin e gjerë, se marrëveshja në fjalë nuk konsiston që imamët të mbajnë ligjërata vetëdijësuese vetëm në fushën e deradikalizimit. Përkundrazi, kjo marrëveshje, e cila është marrë si shembull nga shumica e shteteve të BE-së dhe ShBA-së, në radhe të parë apo mbi 90 për qind u dedikohet kategorive të rëndomta të të burgosurve, të cilëve u lejohet të marrin këshillime fetare nëpër burgje, në përpjekje për ringritjen e tyre shpirtërore e morale, pas shkeljeve të ndryshme ligjore për të cilat edhe e vuajnë dënimin. Ndërkohë ligjërimi i imamëve për çështjen e deradikalizimit është vetëm një segment i punës ekipore i një grupi ekspertësh, në të cilin përfshihen psikologë, sociologë, imamë, punonjës të arsimit, të shëndetësisë etj. Detyrë e këtij grupi është që nëse të dënuarit për çështje të radikalizmit fetar shprehin dëshirën të jenë pjesë e programeve për deradikalizim, atëherë ne së bashku me kolegët nga fushat e sipërtheksuara do të jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë në formë të këshillimeve fetare dhe bisedave të hapura me ta, në mënyrë që t’i bindim se rruga që ata kanë ndjekur nuk është e drejta. E nëse ata nuk duan të jenë pjesë e këtyre programeve, atëherë askënd nuk mund ta detyrojmë me dhunë t’u nënshtrohet atyre. Dëshiroj ta vë në dijeni edhe opinionin e gjerë, se deri më tash kemi filluar punën në tri prej shtëpive korrektuese e në javët në vazhdim do të fillojmë edhe në burgjet apo qendrat e tjera korrektuese anembanë Kosovës. Jam i bindur se çështja e ligjërimit të imamëve nëpër burgje do të jetë e suksesshme, sepse mendoj se besimtarët, pavarësisht cilit besim i takojnë, kanë të drejtë të marrin këshilla fetare. Unë besoj se shumë shpejt edhe bashkësitë e tjera fetare në vend do të jenë pjesë e këtyre programeve, të cilat do të udhëhiqen e menaxhohen nga Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht Drejtoria e Burgjeve në nivel të Kosovës.

“Epoka e re”: Sa po arrin BIK-u që përmes mekanizmave që ka në dorë ta edukojë dhe përgatisë rininë që mos të bie pre e doktrinave ekstreme, të cilat sot janë problem në mbarë botën?
Bajgora: BIK-u është i angazhuar maksimalisht për edukimin e drejtë të të rinjve tanë, në të njëjtën kohë t’i mbajë larg ata nga mësimet ekstremiste, mirëpo për këtë duhet pasur qasje më të madhe te të rinjtë, si në sistemin shkollor, në media, në rrjetet sociale. Pastaj për këtë duhet edhe kuadër i trajnuar enkas si dhe fonde që nuk mund të sigurohen pa një koordinim e bashkëpunim me institucionet e vendit dhe institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. BIK-u në vazhdimësi me institucionet e veta angazhohet që të rinjtë mos të bien pre e këtyre doktrinave të rrezikshme ekstremiste dhe në këtë drejtim kemi rezultate të prekshme. Ne kemi përkrahur e mbështetur institucionet tona qoftë në parandalimin e ekstremizmit, qoftë në rehabilitimin dhe deradikalizimin e të prekurve nga doktrinat ekstreme. Ne brenda mundësive tona do të bëjmë atë që është e mundur, edhe pse deri më tash  kemi bërë mjaft, por duhet angazhim edhe më i madh i të gjithë neve, i institucioneve përgjegjëse, që të ruajmë rininë tonë, sepse këtë e kemi obligim fetar e kombëtar.

“Epoka e re”: Cili është mesazhi juaj që ua dedikoni besimtarëve myslimanë për këtë festë?
Bajgora: Për hair ju qoftë Festa e Kurban Bajramit të gjithëve! Dashuri, lumturi dhe mirëqenie në familjet tuaja. Zoti i Madhërishëm na i pranoftë lutjet dhe sakrificën tonë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paul Scholes ka kritikuar Paul Pogba dhe pretendon se Manchester…