Kryetari i Nismës në Gjakovë i reagon Kusarit: Katër vite ishe kryetare e Gjakovës

10 prill 2019 | 22:36

Ndaj fjalimit që pati të mërkurën në Gjakovë deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetare e Alternatives Mimoza Kusari-Lila, në një tubim të organizuar nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet me moton “Gjakova kundër PANhajnisë! Zgjedhje të reja”, ka reaguar kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, parti kjo që është pjesë e bashkëqeverisjes me AAK-në në këtë qytet.

Deputetja Kusari-Lila ka dhënë kritika për qeverisjen në nivel qendror dhe lokal.

Por Fazli Hoxha, i cili është edhe anëtar i kryesisë së Nismës Socialdemokrate në nivel qendror, ka thënë se Kusari-Lila e ka pasur rastin të bëjë më shumë për qytetarët e Gjakovës, raporton “Epoka e re”.

“Mimoza Kusari-Lila sot mbajti një fjalim në Gjakovë në një takim që organizoi dega e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet. Ajo drejtoi akuza për qeverisjen në nivel lokal dhe qendror. Mimoza paska harruar se ka qenë kryetare e komunës së Gjakovës për katër vite, dhe në kohën e saj ka pasur keqmenaxhim të qeverisjes. Po ashtu, Mimoza paska harruar se ka qenë më herët edhe pjesë e qeverisjes në nivel qendror si ministre e zëvendëskryeministre, pozita këto që i kanë dhënë mundësinë të bëjë më shumë për qytetarët e Gjakovës”, ka shkruar Fazli Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetare e Alternatives Mimoza…