Kryetari i Odës Ekonomike: Në gjashtë muajt e parë do të përballemi me mungesë të punëtorëve

02 janar 2024 | 16:42

Kështu ka vlerësuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili kërkon nga Qeveria e Kosovës të krijojë një strategji që të parandalojë ikjen e të rinjve nga vendi.

Kreu i Odës Ekonomike, Rafuna thotë në një intervistë për KosovaPress, se edhe viti 2023 ishte sfidues për bizneset, kjo për shkak të ngecjes së investimeve kapitale nga ana e qeverisë, duke mos realizuar projektet me infrastrukturë të mirëfilltë për investime.

Teksa flet për ikjen e të rinjve, ai konsideron se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të jetë mjaft sfidues në aspektin e fuqisë punëtore për bizneset.

“Tani është një mundësi pak më e lehtë për arsyeje se të gjithë ata që shkojnë për qëllime turistike kanë mundësi të jenë në kontakt me një punëdhënës dhe aty për aty të rregullohet një marrëdhënie e punës. Kjo padyshim se do të ketë ndikimin e vet, mirëpo nuk do të ketë një ikje masive, për arsyeje se ne kemi pasur lëvizje të rinjve gjatë dy viteve të fundit që është një numër i madh… Për gjashtëmujorin e parë po, padyshim se bizneset do të kenë sfidë (për punëtor) dhe shto këtu edhe procedurat e thjeshtësuara sidomos të shtetit gjerman”, thotë Rafuna.

Sipas Rafunës, faktori parë që ka ndikuar të ikin të rinjtë nga vendi është çështja e mos lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut.

“Faktori parë është çështja e mos-lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut, sundimi i ligjit në kuptimin që në kontekstet e marrëdhënies së punës zgjasin për rreth 3 vjet derisa të zgjedhën në shkallën e parë, në qoftë se shkohet me ankesë në shkallën e dytë, atëherë merr edhe dy vjet kohë, më pas vjen shëndetësia, çështja e pagës. Ne si kosovar edhe ashtu kemi infrastrukturën e gatshme, dhe çdonjëri prej neve ka një të afërm të familjes ose në Gjermani apo Zvicër ku shumë lehtë motivohet dhe i ndihmon i afërmi që derisa ta gjejë vendin e punës t’i sigurojë kushte që të renditet atje”, vijon Rafuna.

Ai bënë thirrje Qeverisë që të krijojë një strategji që parandalon ikjen e të rinjve nga vendi.

“Ne kemi bërë thirrje për qeverinë që ta ketë një strategji siç e kanë bërë vendet e rajonit, shembull nëse shohim Shqipërinë, sot një i ri që kthehet prej jashtë vendit, ka zyrën që shkon dhe i drejtohet ku i ofrohen rreth tri mundësi për punësim të menjëhershëm…Pra, qeveria jonë ish dashtë të ketë një strategji që edhe t’i parandalojë ikjen e të rinjve, por edhe t’i kthejë ata të cilët tani vetëm kanë dalë jashtë Kosovës në formën e investitorëve”, shton Rafuna.

Kreu i Odës Ekonomike, Rafuna thotë se edhe gjatë vitit të kaluar sektori privat ka pasur sfida të shumta, me theks mungesën e fuqisë punëtore që ka shtyrë të investojë më shumë në pajisje.

“Sektori privat vitin 2023 ka pasur sfidat e veta që nuk po i hiqen, vetëm po ndryshon mënyra dhe forma e sfidave që po i kanë, varësisht prej kohës kur ne po deklarohemi. Sektori privat ka avancuar shumë me kushte sa i përket punëtorëve, si me kushte të pagës, punës në kuptimin e zyrave, bonuseve, dhe tani është bërë shumë më atraktiv sesa sektori publik…Mirëpo, mungesa e fuqisë punëtore e ka shtyrë në dy drejtime, e para të investojë në pajisje që ka qenë kosto shtesë dhe në ngritje të kushteve për staf, por në përgjithësi biznesi ka lëviz shumë”, thotë mes tjerash Rafuna.

Derisa në vitin 2022, qeveria fajin ia hodhi Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për ngecjen e investimeve, Rafuna thotë se tani kjo e fundit ka qenë e kompletuar dhe pushteti duhet të gjejë arsyet pse ka pasur ngecje të investimeve kapitale.

“Ka pas ngecje (tek investimet kapitale), është çështje e qeverisë të vlerësojë pse ka pas ngecje, derisa një vit më herët ngecja i është adresuar OShP-së për shkak të mos kompletimit të bordit të OShP-së, tani kjo e fundit ka qenë e kompletuar dhe duhet të gjendet fajtori përse…. Ne edhe vitin 2023 kemi pas rastin të shohim, se vetëm 50 për qind e shpenzimeve të planifikuara për kapitale janë shpenzuar, e që është një shumë tejet e vogël, pra që deri në fund të vitit mund të jenë shpenzuar 60 për qind e që është shumë tejet e ulët. Kurse, shpenzimet kapitale janë infuzion për sektorin privat, edhe paraqesin një siguri për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm që të investojnë. Dhe kërkesa jonë gjithmonë ka qenë që në momentin që aprovohet ligji i buxhetit, të përgatiten të gjitha procedurat dhe të bëhet presion ndaj organizatave buxhetore që t’i fillojnë procedurat e prokurimit në mënyrë që sa më herët të fillohet me implementimin e projekteve kapitale që do të ndikonin në ngritje të zhvillimit ekonomik”, deklaron ai.

Duke folur për faktorët që kanë goditur ekonominë e vendit, Rafuna shprehet i pakënaqur edhe me rritjen ekonomike përgjatë vitit 2023, për të cilën thotë se parashikimet kanë qenë 3.7 për qind.

Ai derisa shton që në vend kanë munguar shumë investime të huaja, thotë se Qeveria duhet të punojë që t’i heq masat e BE-së.

“Rritja ekonomike nuk është e kënaqshme dhe nuk është brenda pritjeve tona… Pra, ne nuk jemi të kënaqur me rritjen ekonomike, parashikimet tona kanë qenë të jetë 3.7 për qind, që është një rritje që nuk të jep sinjal për prurje të papunësisë, nuk është një rritje që len shenja në zhvillimin ekonomik të vendit… Kosova duhet të punojë shumë së pari që t’i heq masat e BE-së, sepse nuk janë të dëmshme vetëm në kuptimin material, në kuptim buxhetor, mirëpo janë të dëmshme edhe si imazh”, përfundon Rafuna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas një sondazhi të publikuar të martën, vetëm 15% e…