Kryetarja e Gjykatës Speciale sot në Kosovë, Policia do të kujdeset për sigurinë e saj

28 nëntor 2023 | 11:24

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se gjatë  vizitës së saj policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nuk dihet se cila do të jetë agjenda e ditës së kryetares së Gjykatës Speciale, Trendafilova.

Po ashtu një ditë më parë Partia Socialdemokrate të hënën ka organizuar një aksion simbolik me rastin e ardhjes në Kosovë të kryetares së Gjykatës Speciale, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Përmes disa grafiteve në selinë e EULEX-it, aktivistët e PSD-së kanë shkruar se “UÇK nuk mund të gjykohet” dhe se Specialja ka mungesë legjitimiteti.

Ndërsa, Faton Klinaku, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në një protestë që synon të shprehë pakënaqësinë ndaj vizitës së Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ai ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se protesta do të mbahet më 29 nëntor 2023, ora 14:00, pranë hotel “Sirius” në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analistja amerikane, Ivana Stradner ka thënë se mund të pritet…