Kthehet në treg “Omeprazol-i”, ‘Dreni Pharm’: Largimi u bë me tendencë, për dëmtim të imazhit

21 shtator 2023 | 21:56

Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale e ka kthyer në treg produktin “Omeprazol” për injeksion 40 miligramë të prodhuesit “Swiss Parenteral” me lokacion në Indi. Lidhur me këtë, ka reaguar kompania farmaceutike “Dreni Pharm”. Ata kanë paralajmëruar edhe padi ndaj ministrisë së Shëndetësisë.

Në një komunikatë për media, “Dreni Pharm” ka thënë se në maj janë detyruar padrejtësisht ta heqin nga tregu dhe tani ka rezultuar konform standardeve.

“Kompania jonë mirëpret vendimin e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale përmes të cilit shfuqizohet vendimi paraprak për heqjen nga tregu të produktit dhe lejon rikthimin në treg të produktit Omeprazol amp 40 mg.”, thotë komunikata e kompanisë “Dreni Pharm”.

Ata kanë thënë se largimi nga tregu ka qenë tendencë për dëmtim të imazhit dhe janë duke shqyrtuar mundësinë e padive.

Ky është njoftimi i plotë i “Dreni Pharm”: 

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Kompania “Dreni Pharm” ju njofton se produkti Omeprazol amp 40 mg, të cilin në muajin maj u detyruam ta tërheqim padrejtësisht nga tregu ka rezultuar konform parametrave pas analizave të kryera në Laboratorin për Kontrollin e Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, sikurse konform standardeve ka rezultuar edhe në Laboratorin për Kontrollin e Cilësisë HALMED në Kroaci.

Kompania jonë mirëpret vendimin e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale përmes të cilit shfuqizohet vendimi paraprak për heqjen nga tregu të produktit dhe lejon rikthimin në treg të produktit Omeprazol amp 40 mg.

Ne si kompani jemi dëmtuar shumë me këto veprime që nuk kanë pasur asnjë lidhje me produktin tonë. Por, që nga fillimi kemi qenë të bindur për rezultatin që sot e konfirmoi AKPPM-ja, duke ditur standardet e cilësisë së prodhuesit që bazohen në certifikimim më të lartë Evropian, siç është: EU GMP. Ne jemi të bindur që këto tendenca për dëmtim të imazhit kanë ardhur nga konkurrenca për çka do të shqyrtojmë mundësinë e padive përmes avokatëve tanë.

Përveç kompanisë janë dëmtuar edhe pacientët të cilët këtë produkt janë detyruar ta blejnë me çmim të dyfishtë.

Falminderit që produkteve tona cilësore do t’iu besoni edhe në të ardhmen!

Me rrespekt,

Dreni Pharm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dukagjin Gorani tha se populli ynë ende mendon që “bota…