Kthim në shtëpi

24 maj 2022 | 08:24

Nga: Franz Kafka

Jam kthyer, kam kaluar korridorin dhe po vështroj rreth e rrotull. Është oborri i vjetër i tim eti. Me pellgun në mes. Vegla të vjetra të papërdorshme janë kapërthyer mbi njëra-tjetrën dhe pengojnë shkallët për në papafingo. Macja rri e mban vesh te parmakët. Një pëlhurë e grisur që dikur valëvitej rreth një shtage çohet lart në erë.

Mbërrita.

Kush do të më presë?

Kush pret prapa derës së kuzhinës?

Nga oxhaku del tym, po zien kafeja për darkë. Ndihesh ngrohtë, ndihesh në shtëpi?

Nuk e di, jam shumë i pasigurt. Është vërtet shtëpia e tim eti, por njëra pjesë pas tjetrës janë të gjitha të ftohta, sikur secila të ishte zënë me punët e veta që unë një pjesë i kam harruar një pjesë nuk i kam njohur kurrë.

E ç’mund t’u hyj unë në punë atyre, ç’jam unë për to sado që jam biri i tim eti, i fermerit të vjetër. Dhe, nuk guxoj të trokas te dera e kuzhinës, përgjoj vetëm nga larg, vetëm nga larg përgjoj duke ndenjur në këmbë që të mos më befasojnë si përgjues. Dhe, ngaqë përgjoj për së largu, nuk pikas asgjë, dëgjoj vetëm një rrahje të lehtë sahati ose kujtoj se e dëgjoj qysh nga ditët e fëminisë. Të tjerat që ndodhin në kuzhinë janë e fshehta e atyre që rrinë ulur atje dhe ata nuk duan të ma tregojnë mua.

Sa më shumë që ngurron para derës, aq me i huaj bëhesh.

Si do të ishte sikur dikush ta hapte tani derën dhe të më pyeste ndonjë gjë. Nuk do të isha edhe unë vetë atëherë si dikush që kërkon të ruajë të fshehtën e vet?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri…