Kurti bisedon me presidentin e Malit të Zi për dialogun Kosovë-Serbi dhe pandeminë

26 maj 2020 | 16:02

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Në një bisedë miqësore, kryeministri Kurti e ka njoftuar presidentin Gjukanoviq për luftën kundër pandemisë, duke theksuar rënien e infektimeve të reja dhe numrin e vogël të viktimave.

Ai ka treguar për dy pako të Qeverisë së Kosovës për ta menaxhuar situatën e krijuar ekonomike, pakon emergjente fiskale, për ta menaxhuar situatën e krijuar dhe pakon e dytë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike prej efekteve të pandemisë.

Nga ana e tij, presidenti Gjukanoviq e ka përgëzuar Kurtin për punën e mirë në të dyja rrafshet dhe e ka njoftuar atë se Mali i Zi nuk ka asnjë të infektuar më me Covid-19 dhe zyrtarisht e ka përfunduar pandeminë.

“E gjithë puna e qeverisë është e koncentruar në rihapjen e hotelerisë dhe funksionalizimin e turizmit, për t’i sanuar sa më shpejtë vështirësitë e krijuara ekonomike”, ka thënë Gjukanoviqi.

Temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë. Me këtë rast, Kurti ka thënë se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-së, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra-tjetrën.

Presidenti Gjykanoviq ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE.

Ai është pajtuar se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e ka siguruar kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia do të zhvillojë një paradë ushtarake për të shënuar…