Kurti: Boshti i bisedimeve me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke

27 tetor 2021 | 13:16

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, kanë pritur sot në takim sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Helga Maria Schmid.

Në këtë takim është diskutuar edhe për bisedimet më Serbinë.

Kurti  ka thënë se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë.

Ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, ka thënë se janë të përkushtuar në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia.

“Kurti e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e qeverisë në këta 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, sekretarja Schmid e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin në shumë fusha.

Ajo e ka vlerësuar veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.

Sekretarja Schmid ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.

Kurse kryeministri Kurti e ka falënderuar sekretaren Schmid për vizitën dhe ka kërkuar që të ngritët përfaqësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në OSBE.

Në këtë takim ishte edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zvëndësambasadori Kilian Wahl, zyrtarja e Qendrës për Parandalimin e Konfliktit, Mariana Roibu, dhe zyrtarja ekzekutive e sekretares së përgjithshme, Juliane Ziegler.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka thënë se një…