Kurti dhe Kastrati bisedojnë për menaxhimin e situatës me Covid-19 në Kamenicë

07 prill 2020 | 15:42

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka pritur në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi.

Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me problemet, nevojat dhe masat që janë marr në Kamenicë për parandalimin e Covid-19.

Kastrati ka thënë se i kanë drejtuar kryeministrit kërkesat dhe rekomandimet e tyre, duke treguar se situata është nën kontroll.

“Ne u morëm vesh se si të veprojmë në ditët në vazhdim. Kemi pasur fatin si komunë, që të identifikuarit e parë t’i kemi më vonë, dhe për këtë secili institucion e ka ngritur vetëdijen se si duhet të veprojmë dhe të sillemi. Në Topanicë kemi 12 të infektuar, dhe Instituti i Shëndetësisë Publike do të vazhdojë edhe me një grup tjetër për t’i testuar. 161 persona janë në vetizolim dhe rastet janë izoluar dhe janë nën kontroll”, ka thënë Kastrati.

Më tutje, Kastrati ka kërkuar nga qytetarët e Kamenicës që të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se me Kastratin ka diskutuar për situatën në Kamenicë, për përgatitjet dhe masat që ka marr kjo komunë për të menaxhuar Covid-19.

Kurti ka thënë se muaji prill është vendimtar për krizën e këtij virusi, andaj të gjithë bashkë duhet të kemi kujdes të shtuar.

“Shembulli që po e tregojmë si shtet në trajtimin e situatës, duhet ta mirëmbajmë edhe këtë muaj, sepse prilli është vendimtar. T’i ruajmë pleqtë tanë dhe ata që kanë probleme të ndryshme shëndetësore, sepse është jetike”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus Vladimir Putin ditën e sotme i uroi kryeministrit…