Kurti flet për ushtri, thotë: Këmbësoria, më e dobishme se teknologjia ushtarake
Paraditen e së martës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e nisi me vizitë në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Newborn” në Gjilan.
Kreu i qeverisë u shfaq para ushtarëve të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë me një orë vonesë. Mbase kjo ndikoi që Kurti të nis menjëherë fjalimin 4 minutësh, me lavde interesante.
“Këmbësoria si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake sado të sofistikuara dhe precize nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zotë.”
Me a pa pajisje, ushtarët i këshilloi edhe të qëndrojnë gjithnjë të bashkuar.
“Të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë sa që sikur një.”
Në kazermën Newborn në Gjilan dha kurajo edhe për misione tjera, pa i specifikuar, duke deklaruar se FSK është e gatshme për përgjegjësi të reja e detyra edhe më të mëdha se ato që ka pasur deri më sot.
Një sfidë të madhe, Regjimenti i parë i Këmbësorisë e kaloi me suksesin më të madh në maj 2021 duke marrë pjesë në ushtrimin Defender Europe 21. Nuk do të jetë i vetmi i tillë pasi të njëjtit ushtarë do të jenë pjesë edhe e ushtrimit të radhës Defender Europe 23.
“Sfida e radhës Def Eu 23 do të ju gjejë edhe më mirë edhe më të përgatitur. Jam i sigurt në suksesin tuaj edhe në këtë ushtrim”.