Kurti: FSK-ja, e gatshme t’i mbështesë autoritetet civile në përballje me Covid-19

02 prill 2020 | 15:10

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Besnik Bislimi, ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Prishtinë.

Ai atje është pritur nga ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli, dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në fillim, Quni ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe e ka njoftuar atë në pika të përgjithshme për nivelin e gatishmërisë operacionale dhe veprimet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në mbështetjen e autoriteteve qendrore dhe lokale civile në përballimin e situatës së krijuar pas pandemisë së COVID-19.

Gjithashtu, Quni e ka njoftuar Kurtin me objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë të Ministrisë së Mbrojtjes me fokus në rrugën përpara të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së në kuadër të procesit të tranzicionit të saj.

Duke shprehur mirëkuptimin e plotë në fokusin aktual të qeverisë pas situatës emergjente nga COVID-19, ai ka theksuar nevojën e mbështetjes qeveritare në përmbushjen e këtyre objektivave të dimensionit të interesit shtetëror për të arritur në stadin e formësimit të plotë të forcave tona për përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e territorit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse.

Quni, gjithashtu ka theksuar rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së dhe partnerëve tjerë në të arriturat e deritashme dhe projektet për të ardhmen duke mundësuar që FSK të jetë forcë profesioniste, bashkëkohore dhe e ndërveprueshme me standardet e vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s.

Ndërsa komandanti i FSK-së, Rrahman Rama e ka njoftuar Kurtin me të dhëna konkrete për objektivat operacionale të FSK-së, programet dhe projektet kryesore të planifikuara për periudhën vjetore dhe afatmesme që determinojnë stadin e zhvillimit dhe operacionalizimit të plotë të aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të planifikuara me mbështetjen e aleatit tone kryesor, ShBA-së dhe partnerët tjerë sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

Me qëllim të përmbushjes së këtyre objektivave operacional, gjeneral Rama ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe ministri Bislimi mbështetjen financiare qeveritare dhe lehtësimin nga barrierat procedurale administrative për procedimin me kohë të projekteve të veçanta të mbrojtjes.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, për angazhimin dhe kontributin e veçantë në përballjen aktuale me COVID-19.

Në këtë kontekst, ai ka shprehur zotimin për përkrahjen e plotë në të gjitha aspektet dhe drejtimet të FSK-së, në realizimin sa më të suksesshëm të procesit të tranzicionit, si një ndër objektivat edhe të programit qeveritar të vendit.

Mbështetje të plotë për të gjitha projektet e planifikuara të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në proces dhe për të ardhmen, ka siguruar edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili gjithashtu ka premtuar se do të angazhohet me prioritet të lartë, për lehtësimin dhe eliminimin e të gjitha barrierave procedurale administrative për projektet përkatëse.

Vizita e Kurtit  ka vazhduar në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, respektivisht në Qendrën Operative të FSK-së, ku është pritur ana e shefit të stafit të SHP FSK-së, gjeneral brigade, Jeton Dreshaj me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast, gjeneral Dreshaj ka prezantuar në pika të shkurtra, punën dhe procedurat standarde të aplikuara të qendrës përkatëse, veprimet e deritashme të Forcës për detyrë si dhe kurset e veprimit të përgatitura për të ardhmen.

Pas takimeve, kryeministri Kurti dhe ministri Quni me delegacionet e tyre kanë drekuar në kuzhinën e kazermës së FSK-së, duke respektuar masat e përcaktuara për parandalimin e COVID -19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekonomia më e madhe e Evropës mund të zvogëlohet më…