Kurti: Kosova dhe Shqipëria kanë shumë sfida përpara, e duam popullin tonë dhe nuk e urrejmë asnjë komb tjetër

28 nëntor 2022 | 20:16

Për nder të shënimit të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka organizuar pritje për personalitete të ndryshme në Prishtinë.

Me këtë rast, Kurti deklaroi se së fundi qëndroi në vende të ndryshme jashtë Kosovës, por se sonte u kthye në Prishtinë.

“Nga Tirana në Kukës nga Kukësi në Vlorë dhe nga atje në Prishtinë.Këto ishin tri ditët e mija të fundit , dje dhe sot në Shqipëri e sonte në Kosovë po kremtojmë 28 Nëntorin, këtë festë të shumëfishtë e me kuptim të shumëfishtë të kombit shqiptar. 28 Nëntori është data e ardhjes së Skënderbeut në Krujë, me flamurin e kuq e shkabën e zezë dy krenare në mes, është data e Ismail Qemailit në Vlorë, e shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë në prag të luftërave ballkanike, e 28 Nëntori është data e Adem Jashari në Prekaz, e kryengritjes së UÇK-së për liri, për pavarësi e bashkim.Andaj të nderuar pjesëmarrës, zonja presidente Osmani, ministra e deputetë, shkëlqesi e ambasadorë, profesorë e intelektualë, gazetarë e sportistë, ju faleminderit që ndatë kohën për të na bërë bashkë në ditë kaq të veçantë e të rëndësishme për neve. Sot kujtojmë të arriturat e sukseset, por edhe çmimin e paguar për sakrificat e bëra”,tha Kurti.

Ai theksoi se është e panumërt lista e figurave dhe personaliteteve historike që i lidhë 28 Nëntori, lista e atyre grave e burrave që u vetëmohuan e kontribuuan që ne të jemi dhe të jetojmë. Të jemi të lirë dhe të jetojmë më mirë.

“Republika e Shqipërisë dhe Kosovës kanë shumë histori e shumë sfida që i presin përpara. Por me punë të pandalshme e orientim të palëkundur evropianë e euroatlantike, sigurisht që bashkë do të fitojmë. Shqiptarët janë liridashës e popull demokratik, janë faktor i paqes, zhvillimit e sigurisë në Ballkan e Evropë. Ne e duam popullin tonë dhe nuk e urrejmë asnjë komb tjetër, pakicave kombëtare ua garantojmë të drejtat, ua dëgjojmë kërkesat, ua respektojmë dallimet dhe ua trajtojmë nevojat. E duam fortë gjuhën tonë shqipe, sepse jemi komb i gjuhës dhe sepse shqipja është e bukur, por i mësojmë edhe gjuhët e të tjerëve sepse duam bashkëpunim me kombet tjera dhe ndërveprim me kulturat e tjera”,shtoi Kurti.

I pari i Qeverisë së Kosovës, gjithashtu tha se historia jonë nuk është e pushtimeve dhe sundimeve të tokave të huaja, por e mbrojtjes dhe rezistencës në tokat tona dhe se fuqia jonë çdoherë ka buruar nga e drejta dhe drejtësia.

“Kurrë s’kemi luftuar për të pushtuar të tjerët, por vetëm për të çliruar veten. Njësoj kurrë s’do të punojmë për të përjashtuar të tjerët, por veçse për të përparuar veten. Mundësitë i kemi më të mëdha se realitet, e të përmirësojmë realitetin duke përdorur mundësitë.Lirinë për të cilën kemi luftuar e duam dhe e mbrojmë me demokraci dhe bashkim me mirëqenie e barazi.Sivjet festojmë 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 15 vjetorin e shpalljes se pavarësisë, 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës.Gëzuar 28 Nëntori për jetë e motë”,përfundoi Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se…