Kurti: Masat kufizuese do të merren varësisht prej gjendjes së komunave

09 prill 2020 | 13:37

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar Prizrenin për të dëgjuar kërkesat e kryetarit të kësaj komune, Mytaher Haskuka për përballimin e pandemisë.

Ai ka thënë se duhet përgëzuar Prizreni për disiplinën që ka treguar në këtë betejë.

“Kanë qenë tre të infektuar në Prizren. Fatkeqësisht njëri ka ndërruar jetë, por një tjetër është shëruar dhe kështu për momentin kemi vetëm një që ka infeksion”.

“Edhe Spitali i Prizrenit, QMF-të, Policia dhe drejtoritë e komunës të gjithë bashkë po organizohen mirë që shpërndarja e virusit të jetë sa më e vonuar në kohë dhe sa më e butë në intensitet. E përgëzoj Haskukën për punën dhe angazhimin në krye të shtabit emergjent. Qytetarët duhet ta shtojnë disiplinën në ditët dhe javët në vijim të këtij muaji vendimtar që nga kjo krizë të dalim sa më pak pasoja”.

“Virusi s’i ka këmbët e veta, por tonat. Nëse ne lëvizim shumë do të lëvizë edhe ai. Qytetarët kanë treguar kulturë dhe përgjegjësi të lartë njerëzore. Këtë ta shtojnë sepse s’mund të llogarisim në sistemin shëndetësor, që as për së afërmi nuk krahasohet me ata evropianë. Të përqendrohemi në parandalimin e shpërndarjes”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se pas përfundimit të masave për kufizim të lëvizjes më 13 prill do të merren masa të tjera, por varësisht sipas nevojës në komuna. Këto vendime për kufizime do t’i merr ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi mbrëmë ka marrë autorizimin nga Qeveria në mbledhjen online.

“Ne kemi formuar një grup punues në Qeverinë tonë që përbëhet prej katër ministrave që do të përcaktojë në hollësi edhe masat edhe ndryshimet e tyre në lëvizjen e qytetarëve nëpër komuna, varësisht prej gjendjes që kanë ato. S’mund t’i trajtojmë njëjtë pasi nuk është gjendja e njëjtë”, është shprehur Kurti.

Ndërsa kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se nuk duhet që qytetarët të relaksohen sepse kur po ndodh relaksimi rrjedhimisht po rriten edhe rastet.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave dhe Transfereve dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim,…