Kurti me bashkëpunëtorë takohet me ambasadorin Spahiu në Turqi dhe me drejtuesit e TIKA-s

18 qershor 2019 | 14:12

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Qendrës së LV-së në Prishtinë, Arben Vitia dhe asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri janë duke qëndruar në një vizitë katërditore në Turqi.

Ky delegacion të martën në mëngjes ka vizituar ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara ku është takuar me ambasadorin Avni Spahiu dhe atasheun ushtarak, Bekim Osmani të cilët e kanë njoftuar drejtuesit e Vetëvendosjes për aktivitetet e kësaj ambasade.

Pas këtij takimi, ata janë takuar me drejtorin e TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zutuh Çevik.

Drejtori Çevik e ka informuar delegacionin e Vetëvendosjes rreth aktiviteteve dhe projekteve që ka realizuar TIKA në Kosovë.

Ai ka theksuar se janë rreth 600 projekte me vlerë rreth 35-40 milionë euro prej të cilave 260 projekte sociale ku hyjnë 150 projekte në fushën e edukimit dhe 60 projekte në shëndetësi.

Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka falënderuar Çevikun për mikpritjen dhe për projektet që ka realizuar TIKA në Kosovë.

Ai e ka njoftuar Çevikun se këtë vit Kosova ka shënuar 20-vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe ka theksuar se Kosova është vend i varfër edhe për shkak se okupatori serb ka kryer shumë vrasje e masakra, dhe ka shkaktuar shumë vuajtje e dëme.

Kurti ka thënë se papunësia në Kosovë është shumë e lartë dhe se mungojnë investimet ekonomike, sidomos ato të cilat rrisin prodhimtarinë.

“Aty ku neve mund të na ndihmojë Turqia dhe TIKA në veçanti është lidhja e arsimit profesional me ekonominë prodhuese”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Prizrenit Haskuka e ka falënderuar TIKA-n për ndërtimin e çerdhes në këtë komunë, projektin për bibliotekën, restaurimet e monumenteve si dhe trajnimin profesional të shumë të rinjve nga Prizreni.

Kurse Arben Vitia, ka folur në veçanti për projektet e TIKA-s në shëndetësi, arsim dhe sidomos për Qendrën për Autizmin dhe Sindromën DOWN.

Ai ka falënderuar TIKA-n për këtë projekt të rëndësishëm, ku përveç investimeve materiale pritet të ofrohet edhe ndihmë profesionale për këtë qendër.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Investimet e huaja direkte në botë ranë me 30 për…