Kurti me zyrtaren e lartë amerikane shpallin ankandin për parkun me energji solare

12 maj 2023 | 15:39

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe administratoren e USAID-it, Samantha Power, e cila është duke qëndruar në Kosovë për vizitë zyrtare kanë shpallur ankandin për parkun me energji solare me kapacitet prej 100MW.

Në një konferencë të përbashkët për media, Kurti fillimisht i ka uruar mirëseardhje Power, derisa ka ftuar kompani vendore e ndërkombëtare për këtë ankand.

“Tashmë është e padiskutueshme se siguria energjetike është siguri kombëtare. Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate, të cilëve iu leverdis varësia energjetike e Evropës.  Kërcënimet në rritje të ndryshimeve klimatike e bën edhe më urgjent këtë nevojë”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka falënderuar ShBA-në për ndihmën në këtë fushë derisa ka thënë se është një aleat i fuqishëm “që janë dëshmuar edhe sa i përket zhvillimit tonë të gjithëmbarshëm edhe sa i përket ndërtimit të demokracisë sonë”.

“Po jetojmë në dekadat më kritike të zhvillimit të hovshëm të energjisë derisa po ecim krah për krah me shtetet e zhvilluara perëndimore për t’iu bërë ballë këtyre zhvillimeve. Shpalljen e këtij ankandi po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë kur po marrim një ndër hapat kryesorë drejt tranzicionit të gjelbër dhe drejt investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë ndër dekada”, ka thënë kryeministri Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për dy ditë me radhë në Paris të Francës, po…