Kurti: Nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat

25 tetor 2022 | 12:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

Këtë deklarim Kurti e ka bërë të martën para mediave, pasi ka marrë pjesë në Samitin rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Më tutje, Kurti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.

“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, institucioneve të Kosovës u është kërkuar shtyrja e afatit për targat për 10 muaj.

Kjo kërkesë ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po e shqyrtojnë mundësinë…