Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me republikën demokratike

04 qershor 2023 | 10:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të dielën transmetuesit britanik BBC, se, nuk mund të bëjë kompromis me republikën demokratike, dhe se ndërtesat komunale në tri komunat në veri Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë asete të Republikës së Kosovës.

Duke i komentuar tensionet e fundit në veri, Kurti ka thënë se Kosova mund ta zvogëlojë numrin e zyrtarëve policorë në ndërtesat komunale, nëse paraprakisht, ato, që ai i ka cilësuar banda – të financuara nga Beogradi – të shkojnë “ose në Serbi, ose në burgje”.

“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë.

Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.

Përgjatë bisedës, Kurti e ka pranuar se kryetarët e rinj kanë legjitimitet të zbehtë, por ka thënë se, megjithatë, “të tjerët nuk kanë aspak”.

Faktori ndërkombëtar e ka shtuar presionin ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë dhënë shenja se mund të organizohen zgjedhje të reja.

Kurti është pyetur edhe për qëndrimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me vendimet e tij dhe nëse ai është i shqetësuar nga diçka e tillë.

Ai ka thënë se Kosova i konsideron Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, dhe aleatët e Perëndimit si “aleatë të domosdoshëm, dhe që ua ka borxh çlirimin dhe pavarësinë”.

“Por, ne nuk mund t’ia dorëzojmë republikën tonë demokratike një milicie fashiste, e cila paguhet nga një autokrat në Beograd”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Safet Gërxhaliu Në realitetin kosovar mjerisht kritika pranohet si…