Kurti: Nuk mund të lejojmë që të dështojmë sërish në dialog

07 shkurt 2020 | 20:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se vendimi për shfuqizimin e taksës doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nuk do të merret me procedurë të shpejtë, ngase, sipas tij, fillimisht do të vendoset reciprociteti i plotë ndaj Serbisë.

“Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që i fituam më 6 tetor të vitit të kaluar, gjatë negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kemi përsëritur dhe theksuar qëndrimin tonë, se tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë ne do ta zëvendësojmë me parimin e reciprocitetit. Pra, nuk është se do ta heqim tarifën dhe nuk do ta vëmë reciprocitetin, por do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën. Unë kam mbajtur vetëm një mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës – ajo ka qenë mbledhja e parë ceremoniale solemne.

Javën e ardhshme do ta kemi mbledhjen e radhës dhe bashkërisht, si kabinet, do t’i përcaktojmë të gjitha shtigjet e veprimeve tona, të cilat aktualisht më duhet të them se janë të përqendruara te Projektligji për buxhetin 2020, te plani i punës së qeverisë, te programi qeverisës dhe te fuzionimi i ministrive që i redukton ato nga 21 në 15 sosh. Unë nuk jam në gjendje sot t’ju them se cilën ditë do të bëhet ky zëvendësim i tarifës me reciprocitetin”, thotë Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për procesin e ardhshëm të dialogut me Serbinë, duke potencuar se do të jetë Qeveria e Kosovës që do të udhëheqë me delegacionin e Kosovës, ku ai nuk e përjashton një rol edhe të opozitës dhe presidentit të Kosovës.

“Unë do ta udhëheq ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga pranvera e vitit të shkuar, na e konfirmoi një gjë të tillë, por unë do të përpiqem që ky ekip të jetë me përbërje të duhur e me përgatitje të mirë,pra edhe në aspektin politik përfaqësues, edhe në atë profesional të ekspertëve. Unë nuk mund ta di kur do të mund të rifillojë dialogu, ndonëse më duhet të them që në njëfarë mënyre ai ka vazhduar tërë kohën nëpër konferenca e tryeza të ndryshme ndërkombëtare. Ne, në parim, jemi për dialog me parime dhe besoj që nuk e kemi luksin që të dështojmë sërish në dialog, prandaj besoj që edhe ekipi i Serbisë edhe yni duhet t’i bëjnë përgatitjet e duhura përmes diskutimeve me Brukselin sa i përket formatit, agjendës, kornizës”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i LDK-së, njëherit kryetar i komunës së Gjilanit, Lutfi…