Kurti: Për Kosovën anëtarësimi në BE nuk ka alternativë

17 maj 2023 | 16:27

Bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati dhe zëvendësministrin e Ekonomisë, Getoar Mjeku, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtorin e përgjithshëm për fqinjësi dhe negociatat e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), Gert Jan Koopman, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kryeministri Kurti e ka falënderuar Koopmanin për vizitën dhe për ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian për shtetin dhe qytetarët e Kosovës në këto 15 vite të fundit.

Ai ka thënë se për Kosovën anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) nuk ka alternativë.

Më tutje, Kurti ka theksuar rëndësinë që ka tregu i përbashkët rajonal për integrimin ekonomik të rajonit dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të tri marrëveshjeve që janë nënshkruar në Procesin e Berlinit. Me këtë rast, u nënvizua fakti që Kosova ishte e para që ratifikoi në parlament të tri marrëveshjet.

“Pasi e ka njoftuar mysafirin njoftoi për progresin demokratik dhe ekonomik të shënuar në dy vitet e fundit, që po evidentohet në vazhdimësi edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare, kryeministri tha se në dhjetor të vitit të kaluar kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian kurse këtë vit kemi vendimet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kalimin e fazës së parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e që janë dëshmi e qartë e përkushtimit të Kosovës për integrim e progres”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Ndërsa Koopmani ka thënë se Kosova është pjesë e familjes evropiane. Ai e ka përgëzuar Kosovën për reformat dhe theksoi nevojën e përshpejtimit të tyre dhe nevojën për të ndjekë integrimin ekonomik të rajonit dhe integrimin në tregun ekonomik të Bashkimit Evropian.

Në qershor të vitit 2021, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, kryeministri Kurti kishte prezantuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, të bazuar në EFTA-EEA, gjë që do të zgjidhte pengesat që kemi për të ecur shpejt në integrimin ekonomik të rajonit, mundësonte integrimin me tregun unik të BE-së dhe përshpejtonte anëtarësimin e gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj,…