Kurti për mediumin zviceran liston katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt me Serbinë

27 shtator 2022 | 16:01

Kryeministri Albin Kurti, disa herë ka përsëritur pohimet se në Kosovë mund të ketë luftë. Ai ka thënë se për këtë është edhe i shqetësuar.

Në një intervistë për medien zvicerane “Republik”, kryeministri i Kosovës ka listuar katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt me Serbinë.

“Për mendimin tim Serbia është një regjim klient i Kremlinit. Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtura ‘Mburoja sllave’ dhe ‘Vëllazëria sllave’. Pjesa më e madhe e industrisë së naftës në Serbi është në pronësi të ‘Gazprom’-it. Ministria ruse e Mbrojtjes ka ngritur zyrën e saj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Serbia merr tanke dhe sisteme armatimi nga Moska”.

“Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financojnë strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë”.

“Së dyti: Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk ka keqardhje. Arsyeja e tretë që më shqetëson: Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik. Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus, Putin. Vuçiq e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, më e fundit më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka folur edhe për takimet me presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të cilat ka thënë se janë përmirësuar veçse asnjëherë nuk ia ka shtrënguar dorën.

“Do të preferoja shumë që në Serbi të shihja politika progresive dhe pro-evropiane. Por nuk është kështu. Nga ana tjetër, atmosfera gjatë takimeve tona në Bruksel është përmirësuar”, është shprehur Kurti.

Nëse i kanë shtrirë dorën njëri-tjetrit, Kurti ka thënë: “Jo kurrë. Kjo për shkak se jemi takuar tre nga katër herë gjatë pandemisë së Covid-19 dhe nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u ka bërë thirrje të…