Kurti pozon i buzëqeshur, në tryezë tema e asociacionit

05 maj 2022 | 10:18

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka reaguar sot lidhur me vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Gjermani dhe takimin atje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Kurtin jo vetëm që nuk e pyet kush a ka ndonjë kusht më për Vuçiqin, por, sipas tij, pozon i buzëqeshur në një atmosferë relaksuese të darkës ndonëse tema e Asosacionit, një kauzë tjetër e rrejshme politike, është në tryezë me Vuçiqin.

“Tash, çështja e çdo diskutimi për veprimet e Kurtit për mua është e parëndësishme, ngase pritjet racionale janë të qarta, por çështja është te shoqëria kosovare, se vërtet ne, pas gjithë këtyre historive të kobshme me ideologjinë sllavo-lindore, prapë duam të përfundojmë në gjirin e tyre, në një kohë kur as kombet sllave nuk duan të kenë punë me Rusinë?!”, ka shkruar Berisha.

Postimi i plotë i tij:

“Sovraniteti në kohën e sotme është iluzion,”- thotë gjeniu i letrave dhe disidenti çek Milan Kundera.
Këtë, për fat të keq, më së miri është duke e dëshmuar lufta në Ukrainë, që jo vetëm relativizoi sovranitetin përmes luftës, por edhe shtetet tjera duke përfshirë Gjermaninë, shteti i madh lokomotivë e ekonomisë europiane, e cila relativizoi sovranitetin në raport me kërkesat e SHBA-së, përndryshe ekzistenca e saj vihej në dyshim prej ambicieve ruse që dhunshëm të dominojë Europën.

Për dallim prej politikës racionale që zhvillojnë europianët, populli i Kosovës, një shtet ende i papërfunduar në kontekstin ndërkombëtar, masivisht i besoi Albin Kurtit, një politikan anarkisto-majtist, se Kosova nuk e diskuton me askënd sovranitetin e saj tue e përfshi edhe Amerikën siç shprehej ai në formën më jorespektuese ndaj vendit pa të cilin as liria e as shtetesia e Kosovës nuk do të bëhej realitet.

Tash, që pikërishtë kjo Amerikë që gjërat nuk mund t’ia lë rastit, Kurtin jo vetëm që nuk e pyet kush a ka ndonjë kusht mé për Vuqiqin, por pozon i buzëqeshur në një atmosferë relaksuese të darkës ndonëse tema e Asosacionit, një kauzë tjeter e rrejshme politike, është në tryezë me Vuqiqin.

Zatën, historia e majtistëve shqiptarë në 80 vitet e fundit është e njëjtë, tue qenë një e majtë sllaviste, gjithmonē kanë përfunduar në gjirin sllav, një traditë e kobshme, që për një periudhë arriti ta prishte politikani i djathtë dr. Rugova.

Tash, çështja e çdo diskutimi për veprimet e Kurtit për mua është e parëndësishme, ngase pritjet racionale janë të qarta, por çështja është te shoqëria kosovare, se vërtet ne, pas gjithë këtyre historive të kobshme me ideologjinë sllavo-lindore, prapë duam të përfundojmë në gjirin e tyre, në një kohë kur as kombet sllave nuk duan të kenë punë me Rusinë?!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër…