Kurti shkruan për 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit

14 nëntor 2019 | 12:10

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar 111-vjetorin e Kongresit të Manastirit, i njohur si Kongresi i Alfabetit.

Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kumti i Kongresit të Manastirit duhet të bëjë e do të bëjë jehonë edhe sot.

“Për 8 ditë radhazi, nga 14 nëntori e deri me 22 nëntor 1908, u mbajtën punimet e këtij Kongresi. Deri në atë kohë shqipja jonë shkruhej në disa alfabete, gjashtë a më shumë, duke mos përmendur dhe nënvariantet”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në mëngjesin e 14 nëntorit të vitit 1908 Kongresi i Manastirit, apo siç e njohim Kongresi i Alfabetit, filloi punimet për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ashtu siç ishte vendi, pra në qytetin e Manastirit, qendrën më të madhe shqiptare të asaj kohe, ashtu u njoh rëndësia e këtij Kongresi, si konferencë akademike e mbarë dijetarëve shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. Për 8 ditë radhazi, nga 14 nëntori e deri me 22 nëntor 1908, u mbajtën punimet e këtij Kongresi. Deri në atë kohë shqipja jonë shkruhej në disa alfabete, gjashtë a më shumë, duke mos përmendur dhe nënvariantet.

Data e 22 nëntorit 1908 u bë datë e unitetit shqiptar. U jetësua alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe, gjuha që e kemi kudo sot në vendet shqipfolëse: Shqipëri, Kosovë, Republikë e Maqedonisë së Veriut, Preshevës, Medvegjë e Bujanoc, Ulqin, Tivar e Malësi dhe në mbarë diasporën shqiptare. Ditë përkujtuese për ruajtjen e gjuhës, ditë e bashkimit të një populli, kjo ishte Dita e Alfabetit.

Kongresi u zhvillua pranë shoqërisë “Bashkimi”, në shtëpinë e Fehim Zavalanit. I njohur si një nga kuvendet më të rëndësishëm kombëtar e politik, ky Kongres mblodhi 150 delegatë nga mbarë shqiptaria. Të gjithë figura të shquara në jetën kulturore e politike të fillim shekullit XX.

Me kryetar të Kongresit Mit’hat Frashërin, i biri i Abdyl Frashërit, Kryetar të Komisionit Gjergj Fishtën, me figurat e tjera të shquara Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi u ngrit një hap më lart kultura e historia kombëtare shqiptare, pas Lidhjes së Prizrenit.

Kumti i Kongresit të Manastirit duhet të bëjë e do të bëjë jehonë edhe sot. Bashkimi politik e ndërveprimi mes shqiptarëve është mese i nevojshëm. Para se të merremi me takime e samite të nxituara, duhet të pararendim në synimin e rilindësave tanë, qetësisht e mirë analizuar. Pikënisje le të jetë qyteti i Manastirit, shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për një konsullatë funksionale e me një administratë ku mund të drejtohen, e jo vetëm emërim të një konsulli pa adresë. Nëse Kongresi i Manastirit krijoi kushtet për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim kombëtar, synimi i sotëm duhet t’i përafrohet asaj kohe. Qeveria jonë e ardhshme do të punojë në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë do ta bëjë në bashkërendim me qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin mund t’i shtyjmë përpara interesat tona kombëtare për shtetndërtim e progres.

/Epoka e re/

Në mëngjesin e 14 nëntorit të vitit 1908 Kongresi i Manastirit, apo siç e njohim Kongresi i Alfabetit, filloi punimet…

Gepostet von Albin Kurti am Donnerstag, 14. November 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, i shoqëruar nga…