Kurti: Shqiptarët e Turqisë urë e fuqishme për bashkëpunimin Kosovë-Turqi

14 tetor 2019 | 16:18

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagrı Sakar.

Ky i fundit ka uruar Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Ambasadori turk ka pohuar se mbështetja e Turqisë do të vazhdojë dhe se me rëndësi është të zhvillohet një partneritet mes dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë dhe shëndetësisë.

“Turqia po ashtu do ta ndihmojë dhe e përkrahë anëtarësimin e Republikës tonë në NATO dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë”, citohet të këtë thënë ambasadori turk, sipas një njoftimi të LV-së.

Ndërkaq Kurti ka falënderuar ambasadorin Sakar për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, duke shprehur besimin se partneriteti mes dy republikave do të përparojë me qeverinë e re të Kosovës.

“Shqiptarët në Turqi mund të jenë një urë e fuqishme për bashkëpunim ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe me qeverinë e re do të shtrohet mundësia që kjo të ndodhë. Gjithashtu, në aspektin e shëndetësisë mund të bëhen përmirësime të ndjeshme, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që do e forconte aleancën mes dy shteteve tona”, ka thënë Kurti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndryshe nga ndeshja miqësore ndaj Gjibraltarit, trajneri i Përfaqësues së…