Kurti s’iu përgjigj pyetjeve të opozitës, Gashi: Është shantazh dhe shkelje e Kushtetutës

06 tetor 2023 | 12:58

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti të përgjigjet ndaj pyetjeve të opozitës është shkelje e Kushtetutës dhe shantazh.

Gashi ka thënë se pavarësisht që sot e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, në seancat e radhës do të marrin pjesë.

“Sot për herë të parë në parlamentarizmin e Kosovës, refuzon të përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës. Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shantazh. Ky tentim për detyrim ndaj deputetëve është i papranueshëm. Po hyjmë në një sistem të paparë”.

“Sjellja e sotme është ogur i keq për demokracinë tonë. Është nivel i ri i demokracisë dhe me sjelljen e arrogancës së kryeministrit ne e lëshuam seancën”, ka thënë Gashi.

Më tutje, Gashi ka thënë se qeveria duhet t’i bëjë numrat për t’i votuar marrëveshjet apo ta zgjerojë koalicionin.

Gashi ka folur edhe për deklaratat e Albin Kurtit se nëse “shkojmë në zgjedhje, zhduket opozita”.

“Ani more le të zhduket. Nëse është vullnet i popullit që të zhduket opozita, atëherë vazhdojmë. Nuk është problem se Albin Kurti ka për synim t’i zhdukë kundërshtarët. Sot i ka bërë katër vjet qeverisje dhe cili është rezultati i këtij pushteti?”, ka thënë Gashi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i lartë për Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt,  ka…