Kurti takohet me presidentin e Kroacisë, kërkon të dënohet veprimi agresor i Serbisë ndaj Kosovës

16 qershor 2023 | 17:06

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, në kuadër të Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.

Përveç marrëdhënieve në mes të dy shteteve, Kurti dhe presidenti kroat kanë folur për situatën aktuale dhe rrëmbimin e policëve të Kosovës nga Serbia.

“U fol edhe për zhvillimet në vend, situatën pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për veprimin agresor të Serbisë vetëm disa ditë më parë ndaj Kosovës. Kryeministri Kurti tha se Serbia ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kur nga brendia e territorit të Kosovës ka rrëmbyer tre policë të Kosovës. Ai tha se një sjellje e tillë e Serbisë, që për më tepër vjen në momentin kur depërshkallëzimi i situatës në veri të vendit është synim i përbashkët, duhet të dënohet nga i gjithë faktori ndërkombëtar dhe të bëhet thirrje nga të gjithë që tre policët që po mbahen padrejtësisht në Serbi, duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Sipas kësaj zyre, në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe për fushat me potencial të thellimit tyre, derisa Kurti e ka falënderuar Milanoviqin për “përkrahjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë shtetit të Kosovës, si një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë rajonale, dhe për mbështetjen e fuqishme në arenën ndërkombëtare”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
38 sportistë të tetë sporteve të ndryshme do të përfaqësojnë…