Kurti: Viti 2024 duhet të jetë vit i përgatitjes dhe i mobilizimit për proceset zgjedhore

16 dhjetor 2023 | 15:56

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se viti 2024 për të gjitha qendrat e kësaj lëvizje duhet të jetë vit i përgatitjes dhe i mobilizimit për proceset zgjedhore në nivel lokal, që janë në vitin 2025,
“Shtabet tona lokale, përcaktimi i kandidaturave për asamble e veçmas atyre për kryetare e kryetarë komunash, duhet të jenë në fokus për vitin që po vjen, e këto kërkojnë trajtim të veçantë e pa vonesë. Kandidati apo pretendenti për kandidat komune nuk mund të quhet i tillë apo e tillë nëse nuk njeh thelbësisht e hollësisht problemet e shumicës së lokaliteteve që përbëjnë komunën përkatëse. Të njihen detajisht e të flitet me kompetencë për shqetësimet e secilit lokalitet”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së.

Ai ka thënë se ë arriturat e qeverisë, vendimet që merren, duhet paraqitur e shpjeguar për qytetarët nga strukturat e Lëvizjes.

“Vetëm kështu informacioni është objektiv, i drejtë, dhe i padevijuar. Shumë nga vendimet tona, skemat mbështetëse, masat e ndërmarra nga Qeveria kanë prekur drejtpërsëdrejti qytetarin. Jo edhe shumë dihet e flitet për to, sepse dëshirojnë të minohet sa më shumë merita e institucioneve dhe qeverisjes së mirë dhe demokratike. Qëllimi i dikujt mbase mund të jetë ky, por jo dhe i yni. E qëllimi ynë është informimi i drejtë te qytetari”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se duhet filluar një fushatë anëtarësimesh në qendrat e tyre.

“Meqë ka shumë njerëz që dëshirojnë të bashkohen në Lëvizje, vetëm duhet që ne të shkojmë tek ata dhe të krijojmë hapësirën e nevojshme. Kur qëllimi është i përbashkët, ndërlidhja është lehtësisht e arritshme”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekrem Bardha përherë në shërbim të çështjes shqiptare. Prof. Elez…