Kurti vizitoi dy prodhues vendor

19 maj 2020 | 16:19

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi vizitat e prodhuesve vendorë. Ai bashkë me zëvendësministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Iliri Aliu dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka vizitoi qumështoren “Sharri” dhe fabrikën e kabllove dhe përçuesve elektrikë “Proton Cable”, në Prizren.

“Në qumështoren “Sharri”, Kryeministri në detyrë u prit nga pronari i saj, z. Veli Halimi, ku u njoftua për historikun e 20- vjeçar të kësaj qumështoreje, planet për investime në të ardhmen, por edhe për sfidat me të cilat është përballur gjatë këtyre viteve. Qumështorja “Sharri” paraqet tregim suksesi të prodhuesit vendor, i cili, në këtë rast, për tashmë dy dekada i ka ofruar konsumatorëve produkte cilësore dhe të shëndetshme. Ndonëse industria e qumështit është prekur nga pandemia COVID-19, kjo qumështore, më vullnet dhe vetëdije të plotë, nuk ka shfrytëzuar fare masat ndihmëse nga Pakoja Fiskale Emergjente duke e përballuar vetë barrën e shkaktuar nga pandemia. Shteti i Kosovës duhet të jetë pranë këtyre prodhuesve të cilët paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe nuk marrin prej tij edhe atëherë kur e kanë atë të drejtë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Pastaj, Kurti bashkë me shoqëruesit e njëjtë vizituan fabrikën “Proton Cable”. Aty u pritën nga pronari i kësaj fabrike, Fatos Dida, i cili i shoqëroi dhe i njoftoi mbi produktet dhe zinxhirin prodhues. “Kabllot dhe përçuesit elektrikë të tensionit të ulët të prodhuara në “Proton Cable” i nënshtrohen kontrolleve laserike dhe me testues shkëndije me tension të lartë, me qëllim që cilësia e tyre të jetë e lartë. Për më tepër, kjo fabrikë tashmë është në fazën testuese të prodhimit të telit të bakrit, që do t’i bënte prodhuesit e parë të telit të bakrit në trojet shqiptare”, u shpreh Dida.

 

Kryeministri në detyrë gjatë këtyre vizitave dhe takimeve me pronarët e këtyre dy fabrikave shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar prodhuesit vendorë. Ai foli për nevojën e menjëhershme të bashkëpunimit tregtar mes institucioneve dhe ndërmarrjeve publike dhe prodhuesve vendorë, dhe vëmendjen që pakoja për rimëkëmbjen ekonomike do ta ketë për ta. (A. M / Epoka e re).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vizituar të martën Galerinë…