Kush ishin anëtarët e BIA-s serbe të përfshirë në vrasjen e Zoran Gjingjiqit?

01 maj 2023 | 08:19

Dy dekada më parë, mediet serbe shkruanin për përfshirjen e disa anëtarëve të Agjencinë për Siguri dhe Informim (BIA), në vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq.

Gazetarët serbë shkruanin se pavarësisht njoftimeve zyrtare se pas vrasjes së Gjingjiqit kjo cështje do të trajtohej nga BIA, përkundrazi nuk është marr parasysh as gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Ishte shqyrtuar vetëm puna e medieve dhe e gjyqësorit edhe pse Qeveria serbe pati thënë se do të ngrihej çështja e përgjegjësisë, për secilin zyrtarë të përfshirë.

Pas vrasjes së ish-kryeministrit serb, ka pasur dyshime se pjesëtarët e BIA-s kishin një rol shumë domethënës në ofrimin e mbështetjes logjistike për organizatorët dhe autorët e atentatit.

Këto dyshime më vonë u vërtetuan me arrestimin e dy anëtarëve të BIA-s, Branislav Bezareviq dhe Toni Gavriq.

Ata të dy po “siguronin” vilën në Dedinje ku jetonte Gjingjiqi dhe se Bazareviqi kishte marr 1,200 euro ryshfet nga një pjesëtar i “Klanit Zemun” për të dhënë informacione për lëvizjen e makinës së ish-kryeministrit në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, më 12 mars, pra në ditën fatale të atentatit.

Disa ditë pas vrasjes së tij, Jovica Stanishiq, shef i Departamentit të Sigurimit të Shtetit (RDB) në vitet 1991-1998 dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Franko “Frenki” Simatoviq që ishte një nga themeluesit e Njësisë famëkeqe të Operacioneve Speciale (JSO), u arrestuan.

Më pas është arrestuar edhe ish-zëvendësshefi i BIA-s, Milorad Bracanoviq. Ai ishte zëvendës i Andreja Saviqit dhe të dy u zëvendësuan në shkurt të vitit 2003, por përkundër kësaj, Bracanoviq mbeti në pozitën udhëheqëse të BIA-s.

Bracanoviq iu bashkua Departamentit të Sigurimit të Shtetit në vitet 1970, ku mbajti një post të rëndësishëm deri në mesin e viteve 1990, për t’u emëruar në detyrën shefit të JSO-s dhe zëvendëskomandant i këtij formacioni.

Ai ishte në atë pozitë në kohën e vrasjes së katër anëtarëve të PSP-së më 3 tetor 1999 dhe në kohën e kidnapimit dhe vrasjes së ish=presidentit serb Ivan Stamboliqit më 25 gusht 2000, ndërsa komandant i JSO-s ishte Milorad Lukoviq – Legija.

Pas protestave të 5 tetorit 2000, Bracanoviq mbeti në të njëjtën pozitë dhe pas rebelimit të anëtarëve të JSO-s në nëntor 2001, u gradua në postin e nënkryetarit të BZHR-së, ku qëndroi deri në janar 2003.

Siç konfirmuan shumë burime joformale të asaj kohe, gjatë negociatave me përfaqësuesit e JSO-s, një nga kushtet e “Beretave të Kuqe” ishte që Bracanoviq të emërohej zëvendësshef. Saviq dhe Bracanoviq më pas pasuan Goran Petroviqin dhe Zoran Mijatoviqin, dorëheqjet e të cilëve u kërkuan nga “rebelët”.

Asokohe ministri serb i Punëve të Brendshme, Dushan Mijajloviq ka përmendur vazhdimisht “nishanet” në radhët e policisë dhe ish-RDB-së. Roli i Bracanoviqit dhe arsyeja e arrestimit të tij, në kohën e publikimit të lajmit, autoritetet nuk kishin dhënë detaje.

Është thënë vetëm se Bracanoviq është arrestuar gjatë hetimeve për vrasjen e Gjingjiqit, sepse ekzistonte dyshimi i bazuar se gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kishte keqpërdorur pozitën zyrtare.

Po ashtu, ishte theksuar se hetimi ka vërtetuar edhe lidhjen e ngushtë të Bracanoviqit me krerët e “Klanit të Zemunit”. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është bërë pothuajse një “traditë” që festa e 1 majit,…