Kuvendi për gjashtë muaj shpenzoi mbi 3.4 milionë euro për paga

28 shtator 2022 | 12:44

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka votuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka shpalosur para deputetëve raportin e shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke sqaruar se mbi 3.4 milionë euro janë shpenzuar për paga dhe mëditje.

“Kategoria e pagave në buxhetin gjashtëmujor është 3.401.375,91 euro dhe si të tilla janë të ndara në katër programe: për anëtarët e Kuvendit janë shpenzuar 1.807.264,22 euro, nga Administrata e Kuvendit 1.072.677,71 euro, e nga stafi mbështetës politik 504.947,45 euro. Shpenzimet komunale janë alokuar me 200 mijë euro dhe këto fonde janë shpenzuar vetëm 105.255,55 euro ose 52.63 për qind e buxhetit të ndarë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj është shprehur kritik për planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Ai ka pyetur se si është e mundur që buxheti për vitin paraprak nuk është shpenzuar në tërësi.

“Nëse shkojmë te investimet kapitale keni kërkuar buxhet për vitin e kaluar 500 mijë euro, ndërsa shpenzushmëria është 52 për qind. Pra nëse e shohim planifikimin për vitin pasues keni kërkuar buxhet 640 mijë euro”, ka thënë Lekaj.

Më tutje, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar një listë me emra të të punësuarve si këshilltarë dhe persona tjerë të angazhuar në këtë institucion.

“Po kërkojmë që neve si komision të na ofrohet lista e këshilltarëve dhe personave tjerë ndihmës që ka Kuvendi në përgjithësi. Listën e të gjitha këshilltarëve, duke përfshirë edhe ata të partive politike dhe për të sqaruar efikasitetin dhe për të parë sistemimin e tyre. Pra, po kërkojë që të dimë se nga cilat linja buxhetore paguhen”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër, kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, ka pyetur nëse janë zvogëluar shpenzimet e deputetëve pas marrjes së vendimit për moskompensim të karburantit.

Po ashtu, Muja ka parashtruar edhe një pyetje habitëse për sekretarin e Kuvendit, Ismet Krasniqi. Nga ai, ka kërkuar ta dijë se kush po shpif për të dhe kush po i plason lajmet e rrejshme në media.

Në fund, Istret Azemi nga Kuvendi i Kosovës, ka pohuar se kanë rënë dukshëm shpenzimet për karburante.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut…