KMDLNj, SBAShK-ut: Të ndërpritet greva

28 shtator 2022 | 12:43

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka bërë sërish thirrje që të gjendet një zgjidhje për t’u ndërprerë grevën në arsim.

“KMDLNj mendon se SBAShK-u e ka përmbyllur detyrimin, në këtë rast moral ndaj anëtarësisë mirëpo, çdo vazhdim i mëtutjeshëm i grevës do t’i dobësojë pozicionet e SBAShK-ut aq më parë që për dëmet e jashtëzakonshme që po i bëhet procesit arsimor, e tërë përgjegjësia po i adresohet SBAShK-ut e që nuk është e vërtetë. Me stërzgjatjen e grevës e cila është edhe kundër parashikimeve të SBAShK-ut, janë krijuar të gjitha kushtet që SBAShK-u të tregojë një vullnet të njëanshëm (kur mungon vullneti i qeverisë) dhe të ndërpresë grevën. Nuk ka zgjidhje tjetër në këtë situatë!”, ka theksuar KMDLNj.

KMDLNj ka shtuar tutje se ka reaguar kundër linçimit publik të orkestruar ndaj SBAShK-ut dhe kryetarit, Rrahman Jasharaj si reagim nga pozita e të fortit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe praktikat e mira ndërkombëtare.

“Nëse Qeveria e Kosovës ka qëndrim linçues ndaj SBAShK-ut, e kjo është e pakundërshtueshme, edhe SBAShK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete për shkelje të drejtave të njeriut të nxënësve andaj duhet ta ndërpresë me shkelje të këtyre të drejtave. KMDLNj ka monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla dhe kërkesat e tyre i konsideron si të drejta dhe të arsyeshme hiç këtu angazhimet për grevëthyerje nga pozitat ekskluzivisht partiake. KMDLNj pret dhe shpreson se greva e SBAShK-ut do të përfundojë shpejt dhe do të nisë procesi arsimor”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së, duke theksuar se në këtë rast SBAShK-u nuk do të jetë palë e humbur.

“Nëse këmbëngul të vazhdojë këtë grevë në këtë mënyrë atëherë, pa asnjë dyshim më së shumti do të humb SBAShK-u, përjashtuar nxënësit që, edhe deri më tani janë humbësit më të mëdhenj, pa fajin e tyre”, ka theksuar KMDLNj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marc-Andre Ter Stegen ishte një prej protagonistëve më të mëdhenj…