KV Malisheva bëhet me shkollë volejbolli

09 mars 2018 | 10:51

KV Malisheva së shpejti pritet të bëhet edhe me shkollën e volejbollit, pasi ky është një prej standardeve dhe në të njëjtën kohë edhe projekt i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK).

Kryetari i FVK-së, Abedin Ibrahimi, të enjten është takuar me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me të cilin kanë biseduar për përkrahjen që do ta ketë kjo shkollë. “Komuna e Malishevës përkrah sportin në masë të madhe, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për sportin në përgjithësi, përfshirë edhe volejbollin dhe brenda mundësive buxhetore do të përkrahet edhe hapja e kësaj shkolle, si dhe krijimi i kushteve më të mira dhe sipas standardeve evropiane të volejbollit, në mënyrë që klubi të ketë rezultate, por edhe të drejtë të garojë edhe në garat në nivel më lartë”, ka thënë Begaj.

Kryetari i FVK-së, Abedin Ibrahimi, ka thënë se federata e ka filluar këtë projekt me klubet e volejbollit, për hapjen e shkollave, me qëllim të përhapjes së sportit të volejbollit dhe rritjes së cilësisë, si dhe për krijimin e kushteve, apo për plotësimin e standardeve në fushat e volejbollit. Sipas tij, ndihma e komunave, krahas përkrahjes që kanë nga Federata Evropiane e Volejbollit, është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme.

Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se sot…